Kërko

Shqipëria në Fitur Madrid 2026

Gjatë vitit 2026, Shqipëria vijoi të konsolidojë praninë e saj në tregun ndërkombëtar të turizmit përmes pjesëmarrjes në disa nga panairet më të rëndësishme globale të sektorit, duke promovuar vendin si një destinacion modern, autentik dhe të qëndrueshëm.

Shqipëria mori pjesë në FITUR 2026 në Madrid, ku u prezantua me konceptin Albania All Senses. Stenda shqiptare u konceptua si një hapësirë që reflektonte përvojat dhe ndjesitë autentike që vendi ofron për vizitorët ndërkombëtarë, duke vendosur theks të veçantë te diversifikimi i ofertës turistike dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit. Pjesëmarrja në këtë edicion kontribuoi në rritjen e interesit për Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare dhe në forcimin e profilit të saj si destinacion në zhvillim.

Vëmendje e veçantë iu kushtua tregut spanjoll, i cili ka shfaqur një rritje të dukshme të interesit për Shqipërinë si destinacion turistik. Sipas të dhënave statistikore, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, Shqipëria u vizitua nga 10,485 turistë spanjollë, duke shënuar një rritje prej 17.03% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ndërkohë, gjatë vitit 2025 numri i turistëve nga Spanja arriti në 108,166 vizitorë, duke konfirmuar një trend pozitiv dhe potencial të rëndësishëm të këtij tregu për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në Shqipëri.

Gjatë periudhës 21–25 janar 2026, stenda shqiptare në FITUR u shndërrua në një hapësirë dinamike promovimi dhe ndërveprimi profesional. Programi përfshiu prezantime tematike, demonstrime digjitale të mbështetura nga inteligjenca artificiale, prezantimin e aplikacionit TEA, si dhe aktivitete gastronomike që promovuan traditën kulinare shqiptare. Përmes këtij koncepti inovativ, Shqipëria synoi të theksonte identitetin e saj si një destinacion që ofron përvoja të veçanta dhe të diferencuara në tregun global të turizmit.