Kërko

Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030:

Këshilli i Ministrave miratoi Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026–2030, dokumentin strategjik që përcakton vizionin dhe drejtimin e politikave publike për zhvillimin e sektorit kulturor në Shqipëri gjatë pesë viteve të ardhshme. Strategjia u hartua me mbështetjen e AICS – Agjencisë Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim, një partner i rëndësishëm në avancimin e reformave kulturore në Shqipëri, duke sjellë ekspertizë ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane në procesin e hartimit të saj. Ajo është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi dhe bashkëpunimi, ku u zhvilluan mbi 50 takime me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, u angazhuan 100 profesionistë në Forumin e Hapur “Gjendja e Përgjithshme e Kulturës”, morën pjesë 6 studiues ndërkombëtarë në konsultimin Delphi dhe 22 anëtarë të stafit kontribuan në hartimin dhe koordinimin e dokumentit.

Strategjia e pozicionon kulturën si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, duke e lidhur atë ngushtë me zhvillimin ekonomik, turizmin, arsimin, inovacionin, kohezionin social dhe procesin e integrimit evropian. Në përputhje me politikat kulturore të Bashkimit Evropian, ajo synon ta shndërrojë kulturën në një motor zhvillimi, duke mbështetur krijimtarinë, trashëgiminë kulturore dhe industritë kulturore e krijuese si sektorë me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, punësim dhe mirëqenien e qytetarëve.

Strategjia mbështetet në tre shtylla kryesore:

– Kultura si nxitëse e cilësisë së jetës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke garantuar zgjerimin e aksesit në kulturë për të gjithë qytetarët, edukimin përmes kulturës dhe rritjen e pjesëmarrjes kulturore në të gjithë territorin.

– Kultura si instrument i dialogut, diplomacisë kulturore dhe zhvillimit ekonomik, përmes promovimit ndërkombëtar të Shqipërisë, zhvillimit të turizmit kulturor, ekonomisë së eventeve, festivaleve dhe industrive kulturore e krijuese, duke e kthyer kulturën në një burim të rëndësishëm investimesh, punësimi dhe zhvillimi lokal.

– Ndërtimi i një ekosistemi kulturor modern, inovativ dhe të qëndrueshëm, përmes mbrotjes së trashëgimisë kulturore, modernizimit dhe digjitalizimit të institucioneve kulturore, reformimit të kuadrit ligjor e institucional.

Strategjia parashikon një paketë të gjerë reformash që synojnë të forcojnë gjithë zinxhirin e vlerës së kulturës. Dokumenti vendos një fokus të veçantë te ekonomia e kulturës dhe ekonomia e eventeve dhe turizmi kulturor, duke e konsideruar kulturën jo vetëm si një vlerë identitare, por edhe si një sektor me potencial të lartë për të gjeneruar investime, punësim dhe zhvillim ekonomik. Përmes mbështetjes së festivaleve, eventeve kulturore, arteve skenike dhe industrive kreative e artizanatit, synohet zgjatja e sezonit turistik, rritja e atraktivitetit të destinacioneve shqiptare dhe krijimi i përvojave autentike që lidhin kulturën me zhvillimin ekonomik.

Strategjia vendos në qendër fëmijët dhe të rinjtë, duke forcuar edukimin përmes kulturës, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve kulturore dhe sistemit arsimor, si dhe krijimin e më shumë programeve edukative dhe mundësive për zhvillimin e talenteve të reja. Synimi është që kultura të bëhet pjesë e formimit të çdo brezi, duke nxitur krijimtarinë, mendimin kritik dhe pjesëmarrjen aktive në jetën kulturore.

Strategjia parashikon gjithashtu rishikimin e kuadrit ligjor në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, krijimin e Statusit të Artistit, ngritjen e Këshillave të Artit, zhvillimin e Rrjetit Kombëtar të Muzeve, modele të reja qeverisjeje për institucionet kulturore, mbështetje më të madhe për bashkitë dhe komunitetet lokale, si dhe forcimin e mekanizmave të financimit të sektorit.

Në aspektin financiar, Strategjia vendos një objektiv ambicioz për rritjen graduale të investimeve publike për kulturën dhe rekreacionin nga rreth 0.4% në 1–1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më shumë se dyfishimin e peshës së kulturës në ekonominë kombëtare, në përputhje me mesataren e BE-së dhe me shtete si Rumania dhe Bullgaria, por edhe Italia duke e trajtuar kulturën jo si një shpenzim, por si një investim strategjik që gjeneron zhvillim ekonomik, punësim, turizëm, inovacion dhe vlerë të shtuar për vendin.

Krahas fondeve kombëtare, ajo parashikon mobilizimin e fondeve të Bashkimit Evropian, partneriteteve publik-privat, donatorëve ndërkombëtarë dhe kontributit të diasporës, si dhe krijimin e mekanizmave të rinj të financimit, përfshirë destinimin e 8–12% të të ardhurave nga taksa e turistit në Fondin e Kujdesit për Trashëgiminë Kulturore.

Me një plan të detajuar veprimi, tregues të matshëm performance dhe monitorim të vazhdueshëm deri në vitin 2030, Strategjia Kombëtare e Kulturës synon ta shndërrojë kulturën në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Shqipërisë, duke investuar njëkohësisht në identitetin kombëtar, krijimtarinë, ekonominë, cilësinë e jetës dhe pozicionimin ndërkombëtar të vendit.