2 Prill, Ora 11:00
“Ky aktivitet synon të nxisë te fëmijët dashurinë për librin si një burim njohurie, imagjinate dhe zhvillimi emocional. Duke ndërthurur leximin me artin pamor, aktiviteti vendos theksin te mënyra se si ilustrimi ndihmon në ndërtimin e historisë dhe në pasurimin e përjetimit të saj. Përmes eksplorimit të katalogëve artistikë të bibliotekës së GKA-së, fëmijët do të njihen med forma të ndryshme të shprehjes vizuale dhe do të inkurajohen të interpretojnë përmbajtjen sipas këndvështrimit të tyre.
Koncepti i aktivitetit bazohet në zhvillimin e imagjinatës krijuese dhe aftësisë për të “lexuar” imazhin si një formë tregimi. Në këtë kuadër, fëmijët do të realizojnë kopertinën e një libri, duke u frymëzuar nga katalogët e artit dhe ilustrimet që do të eksplorojnë gjatë aktivitetit. Përmes këtij procesi krijues, ata do të imagjinojnë historinë, personazhet dhe atmosferën e librit, duke i shprehur vizualisht në kopertinën e tyre.
Nëpërmjet këtij ushtrimi artistik, fëmijët jo vetëm që forcojnë lidhjen me librin, por edhe zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese, interpretative dhe komunikuese. Mini-ekspozita përmbyllëse i vendos ata në rolin e prezantuesve të ideve të tyre, duke rritur vetëbesimin dhe aftësinë për të shprehur mendimin.
Ky aktivitet edukues realizohet nga Drejtoria e Edukimit pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, në bashkëpunim me Vilën 31 x Art Explora. Aktiviteti do të zhvillohet në ambientet e Vilës 31 x Art Explora.”
Vila 31, Tiranë