Libri i Zbulesës thotë se Zoti mori pak baltë, i dha frymë dhe kështu krijoi njeriun e parë. Si një korçar i mirë dhe i krishterë, Vasillaq Kolevica do ta quante blasfemi të krahasohej me Zotin, por ama edhe ai ndihet zot në atelienë e tij, ku pikërisht nga balta, u jep jetë në mënyrën e tij, krijimeve artistike. “Nuk e dimë kur njeriu ka nisur të flasë, por e dimë me saktësi, që para se të theshte fjalën e parë, ka pjekur baltë dhe ka bërë qeramikë”. Kështu e nis rrëfimin e tij mjeshtri i qeramikës, të cilin, me shumë gjasë, ka qenë pikërisht kjo thirrje e të parëve brenda tij, që e drejtoi te ky zanat, ku utilitarja ia lë vendin kënaqësisë estetike.
Vasillaq Kolevicën e gjejmë në atelienë e tij, në atë që ai e quan “perandori”, të cilën po ia trashëgon së bijës e ajo, ndoshta më vonë, bijës së saj, që qysh tash ka nisur të provojë ndjesinë e krijimit.
Bir prindërish artistë, Kolevica mund të kishte ndjekur rrugën e secilit, mes muzikës dhe pikturës, por zgjodhi diçka tjetër, që lidhej më fort me vendin e tij. “Këtu në qytetin tonë, punimi i qeramikës është një traditë 3000-3500 vjeçare, pasi shembull konkret është tuma e Kamenicës, ku janë nxjerrë objekte qeramike, jashtëzakonisht të bukura dhe të punuara në perfeksion”, thotë ai.



