Në zbatim të ligjit nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar, si dhe në përputhje me vendimin nr. 35, datë 18.01.2017, të Këshillit të Ministrave “Për mënyrën e funksionimit, të organizimit dhe të shpërblimit të Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit (KKDA)”, i ndryshuar, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpall thirrjen publike për aplikim për anëtarë të KKDA-së.
KKDA është një organ kolegjial, vendimmarrës dhe këshillimor, i cili përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë. Ky këshill ka për qëllim të sigurojë zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
KRITERET E PËRGJITHSHME PËR APLIKIM:
Kandidatët për anëtar të KKDA-së duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Zotërimi i diplomës universitare të nivelit “Bachelor” dhe “Master i shkencave” ose “Master profesional” në një nga fushat e mëposhtme:
- Shkenca juridike;
- Shkenca ekonomike;
- Fusha e arteve.
- Të kenë përvojë profesionale prej të paktën 3 (tre) vjetësh në fushat e sipërpërmendura.
- Pavarësi dhe shmangie nga interesat e konfliktit: Kandidatët nuk duhet të kenë interesa direkte ose indirekte me subjektet që ndikohen nga vendimet e KKDA-së.
DOKUMENTACIONI I KËRKUAR:
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:
- Jetëshkrim i plotësuar;
- Fotokopje të diplomës;
- Fotokopje të letërnjoftimit (ID).
AFATI DHE MËNYRA E APLIKIMIT:
- Dokumentet e aplikimit duhet të dorëzohen brenda datës 3.2.2025, nëpërmjet email-it në adresën zyrtare: [email protected]
SHËNIM:
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, rezervon të drejtën të verifikojë propozimet dhe të kontaktojë vetëm me ata që emërohen nga ministri përgjegjës për të drejtën e autorit dhe bërjen publike të urdhrave të emërimit në faqen e internetit të MEKI-t.
Ftojmë të gjithë personat e interesuar që plotësojnë kriteret të aplikojnë dhe të kontribuojnë në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura në Shqipëri.
