Sigurisht, nuk mungonin vështirësitë, por ai flet me nostalgji për vitet kur njerëzit e donin kinemanë, ndërsa tani kanë mbetur shumë pak syresh. “Njerëzit prisnin radhë, prisnin biletë, mbanin rregull, po kishte raste edhe që thyheshin dyert, si te “Zonja e panjohur” apo “Fatma”, “Aventurat e Uliksit” me Bekim Fehmiun, “Korrupsion në Pallatin e Drejtësisë”, etj. Kur kishte filma të mirë, interesi ishte shumë i madh, edhe pse filmat ishin të prerë”.
Ishin vite censure dhe shpesh herë filmat priteshin ose bllokoheshin. Vinte urdhri “nga lart”, siç thotë Dhori dhe të gjitha ato pjesë që binin ndesh me “vijën e Partisë”, zhdukeshin.
“Kemi pasur bllokime. Dy ditë pasi doli filmi “Një jetë”, na thanë ta ndërprisnim shfaqjen e tij. Në vend të tij më dhanë një film kinez, “Pishat e blerta”. Na ndodhte që “të mëdhenjtë” të jepnin urdhër për bllokim dhe filmi hiqej nga qarkullimi. Vinte urdhri për prerje, por unë ua kërkoja me shkrim, me numra, sepse çdo dialog kishte një numër. Ndodhte që ose i ndërrohej titulli filmit, ose pritej momenti ku kishte ndonjë skenë dashurie”.
Asgjë nuk shfaqej pa u kontrolluar më parë nga organet e censurës, madje vetë udhëheqja i shihte e para. Të gjithë kineastët shqiptarë tregojnë ankthin e pritjes dhe kërkonin të shquanin fytyrën e kinomekanikut, që kishte shfaqur filmin në Bllok. Aty “lexohej” e ardhmja e filmave të tyre.
“Udhëheqja i shihte të gjithë filmat. Unë kam shkuar vetëm dy herë atje, një herë në Bllok dhe një herë në Komitetin Qendror. Një herë për shfaqjen e filmit për Hysni Kapon ‘Besniku i Partisë’. Vetëm 10 minuta film pa Enver Hoxha. Isha 27 vjeç. ‘Mirë mo, mirë’, tha Enver Hoxha dhe filmi kaloi”.
Gjatë viteve ’78-85 punoi në Kinemanë e Laprakës, ku i kanë kërkuar të punojë sërish, kur ajo të merret në dorëzim pas rikonstruksionit. Në vitin ‘86 u bë përgjegjës në Kinema “Partizanin”, por në vitin 1989 kur aty pritej të mbahej një mbledhja ballkanike, kinemaja u dogj. Brenda natës ajo u zhduk dhe pasojat do të binin edhe mbi Theodhor Ziun. Edhe pse ai nuk u shpall asnjëherë fajtor, do të dënohej me 6 muaj heqje lirie, gjatë së cilës do të riparonte televizorët e burgjeve.
Emri i tij nuk figuron në listat e të dënuarve e si rrjedhojë as do të shpërblehej për muajt e heqjes së lirisë. Por pavarësisht se ka kaluar shumë në jetë, ai e vlerëson periudhën kur spektatori priste në radhë për të parë një film. Është një zanat i vështirë, por ai thotë se ka dashur t’ia trashëgojë të tre djemve të tij. “Duhet që në radhë të parë të njohësh filmin”, thotë ai.
Po ashtu siç ai u transmetoi zanatin, ata i mësuan teknologjinë dhe sot, kinomekaniku që bariste me biçikletë nga njëra kinema në tjetrën, për të çuar bobinat e filmit, sot punon me teknologjitë më të fundit digjitale.