Kërko

Terminal of Tirana

Në kuadër të projektit “Art në Hapësira Publike”, u realizua vepra e artit “Terminal of Tirana”, e vendosur në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Teresa”, Tiranë, me menaxhues projekti “Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor (Adela Demetja)”. Artisti fitues i kësaj vepre arti është Karolina Halatek, nga Polonia. Materialet e përdorura për veprën Terminal of Tirana janë, alumini, polietileni, druri dhe drita LED, e ndërtuar në formën e një një tuneli 6 metra i gjatë dhe 3 m në diameter, ku vlera totale e gjithë projektit është 35,622,586.10 Lekë.

Vepra, “Terminal of Tirana“, ofron një hapësirë soditëse ku vizitorët mund të përjetojnë një ndjenjë euforie, paqeje dhe atë të kapërcimit të kufijve fizikë. Ky instalacion krijon një hapësirë ku kryqëzohen arti, spiritualiteti dhe shkenca, dhe është i frymëzuar nga kujtimet mbresëlënëse të pacientëve që kanë përjetuar vdekje klinike (NDE) dhe janë rikthyer përsëri në jetë. 

Skulptura e shndritëshme e Halatek është e përbërë nga një cilindër monolit polietileni me diametër 6 m x 3 m, i ndriçuar në brendësi me neon LED të cilët furnizohen me energji diellore. Ky tunel drite i fton vizitorët të hyjnë në një përvojë të botës së përtejshme, dhe i referohet përvojave të pacienteve që kanë raportuar mbi një udhëtim përmes një tuneli të errët drejt një drite rrezatuese dhe gjithëpërfshirëse.

“Terminal of Tirana” shkon përtej një vepre arti; është një meditim mbi jetën, vdekjen dhe vazhdimësinë e ndërgjegjes. I vendosur në hyrje të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, instalacioni i fton shikuesit të zhyten në fuqinë transformuese dhe shëruese të dritës, duke ofruar një vështrim në atë që mund të shtrihet në pragun e jetës. I nxit vizitorët të reflektojn mbi qënësinë tonë dhe misteret e pakufishme të universit dhe është një kujtesë mbi vazhdimësinë e përjetshme të dritës.