Kërko
1

TEATRI KOMBËTAR

Projekti për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar në Tiranë ka hyrë në fazën e parë të punimeve, pas përfundimit të operacioneve të ndërlikuara nëntokësore. Aktualisht, godina po merr formë drejt përfundimit të plotë brenda vitit.

I konceptuar nga arkitekti i njohur Bjarke Ingels dhe studioja daneze BIG, projekti sjell një qasje bashkëkohore ku ndërtesa nuk kufizohet vetëm në funksionin e saj tradicional, por lidhet ngushtë me hapësirën publike përreth. Struktura synon të shndërrohet në një “aktor” shtesë në jetën qytetare, duke ofruar një ndërthurje mes skenës teatrore dhe qytetit.

Ndërtesa është e organizuar në dy blloqe funksionale: një i dedikuar aktorëve dhe administratës, dhe tjetri i hapur për publikun, ku ndodhet salla kryesore e teatrit. Publiku do të ketë hyrje të posaçme nga fasada kryesore dhe nga një hyrje nën hark. Në pjesën e sipërme, tavanet e ndërtesës do të shërbejnë si një teatër i hapur me shkallare, i përshtatshëm për aktivitete në natyrë dhe evente kulturore.

Projekti parashikon gjithashtu hapësira publike prej rreth 4500 m² që do të lidhen me funksione të tjera kulturore, duke përfshirë edhe integrimin me Muzeun e Ri të Arteve të Bukura. Kjo qasje e bën kompleksin një nyje të rëndësishme kulturore dhe sociale në kryeqytet, duke shtuar vlera të reja urbanistike dhe artistike në zonën ku ndërthuren akset kryesore pedonale të Tiranës.

Teatri i Ri Kombëtar është menduar si një strukturë moderne dhe e shumëfunksionale, që kombinon hapësirat klasike të performancës me ambiente publike, duke e kthyer në një qendër të gjallë arti dhe komuniteti, të përdorshme gjatë gjithë ditës dhe vitit.

Adresa: Tiranë