Të dhënat më të fundit nga raporti i OECD “Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2025” dëshmojnë edhe një herë rolin jetik që kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NMV) në ekonominë shqiptare.
Një Rekord Rajonal për Shqipërinë!
Në periudhën 2020-2023, 82% e të punësuarve në Shqipëri rezultojnë të angazhuar në NMV.
Ky është treguesi më i lartë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke kaluar gjithashtu mesataren e Bashkimit Europian e cila rezulton në 64.5%, çka e vendos Shqipërinë dukshëm mbi standardin europian sa i përket varësisë së tregut të punës nga NMV-të.
Çfarë Tregon Ky Fakt? – Rëndësia e NMV-ve si motor punësimi është edhe më e madhe në Shqipëri sesa në shumë vende të tjera europiane. – Tregu i punës shqiptar është shumë i varur nga qëndrueshmëria dhe zhvillimi i NMV-ve, ndaj çdo politikë mbështetëse ndaj tyre është një politikë sociale dhe ekonomike njëkohësisht. – Shqipëria ka një bazë të fuqishme të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por për t’i shndërruar ato në burim rritjeje të qëndrueshme, raporti thekson nevojën për:
- përmirësim të klimës së biznesit,
- dixhitalizim,
- akses më të lehtë në financa,
- ngritje të kapaciteteve profesionale.
Raporti i OECD thekson se pesha e madhe e NMV-ve në tregun e punës shqiptare është një aset, por edhe një sfidë. Politikat për të mbështetur rritjen, inovacionin dhe konkurrueshmërinë e tyre janë thelbësore për procesin e konvergjencës me BE-në.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është e angazhuar për nxitjen dhe krijimin e politikave që nxisin zhvillimin e biznesit në funksion të rritjes së punësimit në vend, duke u fokusuar në angazhimet e ndërmarra në kuadër të integrimit evropian.
Link i raportit: OECD (2025), Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2025, OECD Publishing, Paris, https://doi.org/10.1787/bc0babf3-en
