“Të gjithë jemi instrumente. Japim mesazhe paqeje”. Mjaft të shihje muret e dyqanit të tij, mbushur me urdhra nderi dhe falënderime të marra nga personalitete të larta, që nga Shenjtëria e tij, Papa Francesku, te Presidenti i Republikës Italiane etj., për të kuptuar moton e jetës së tij.
Po bëhen gati 3 dekada që ai jeton në Mantova, në këtë qytet, ku trashëgimia kulturore përbën një element të rëndësishëm identitar.
Por, në këtë qytet gati-gati imponues, me ate pamje si të një kohe të ndalur, Kozeli është përpjekur, dhe ia ka dalë të krijojë një identitet të vetin. Ka qenë padyshim e vështirë, por kur prakticiteti dhe krijimtaria bëhen bashkë, do të ketë me patjetër një rezultat. Petrit Kozelin e njohin shqiptarë e italianë. Ka nga ata që e kujtojnë si “këpucarin e Papës” apo si realizuesin e këpucëve me ngjyrat e flamurit italian dhe atij shqiptar. Kjo është e vërtetë, por historia e Petrit Kozelit nuk nis me këpucët. Dashuria e tij e parë ishte fotografia.



