Kërko
lezhe

PARKU ARKEOLOGJIK LEZHË

Kalaja e Lezhës ngrihet mbi një kodër 186 metra të lartë, në lindje të qytetit, duke ofruar një pamje të mrekullueshme mbi fushën e Lezhës dhe detin Adriatik. E ndërtuar mbi gjurmët e qytetit antik të Lisit, kalaja mbart shtresëzime të ndryshme historike dhe arkitekturore – ilire, romake, bizantine, venedikase dhe osmane.

Origjina e saj i përket shekullit IV p.k., kur qyteti u themelua si qendër e rëndësishme ilire. Me pushtimin romak, Lezha u përfshi në provincën e Prevalitanit, ndërsa në mesjetë u bë qendër episkopale dhe më pas pjesë e Perandorisë Bizantine. Në shekullin XIII, gjatë shtetit të Arbrit, qyteti u dallua për marrëdhëniet tregtare me Raguzën. Në vitin 1393 kaloi nën zotërimin e Republikës së Venedikut, e cila e rindërtoi kështjellën në vitin 1440. Pas pushtimit osman të vitit 1522, kalaja mori formën e saj të sotme.

Brenda mureve të saj vizitorët mund të shohin gjurmë të ndërtesave osmane, xhaminë, një kullë me hark romak, si edhe mbetje të kështjellës ilire e mesjetare. Kalaja lidhet gjithashtu me ngjarje të rëndësishme historike: këtu u mblodh Kuvendi i Lezhës më 1444, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut, duke shënuar bashkimin e principatave shqiptare kundër pushtuesve osmanë.

Sot, Kalaja e Lezhës është monument kulture me rëndësi kombëtare dhe një nga destinacionet më të veçanta historiko-kulturore në Shqipëri. Ajo mbetet jo vetëm dëshmi e qytetërimeve të lashta, por edhe simbol i identitetit dhe historisë kombëtare shqiptare.