Kërko
resized_image_ORIKUM

PARKU ARKEOLOGJIK ORIKUM

Orikumi është një nga sitet më të rëndësishëm të bregdetit Adriatik, si nga pikëpamja historike, arkeologjike ashtu dhe nga ajo natyrore. Sipas të dhënave arkeologjike qyteti antik i Orikut themelohet në mesin e shek. VI p. Kr, ndërsa në burimet historike përmendet që në shek. V p.Kr nga Herodoti dhe Hekateu i Miletit, si një nga limanet më të mbrojtur dhe më të rëndësishëm të Epirit. Në shek. III p.Kr, Oriku merr fizionominë e plotë të një qendre urbane. Pjesa më e madhe e infrastruktës së brendshme, duke përfshirë shkallaret, bazamentet e ndërtesave, kanalet dhe cisternat për depozitimin e ujit ndërtohet në shkëmbin natyral të kodrës. Në këtë periudhë ndërtohen dhe monumentet publike. Në burimet historike është një qytet i përmendur për rëndësinë e tij në betejat midis Maqedonisë dhe Romës në fund të shek. III p. Kr, si dhe në luftën civile midis Çezarit dhe Pompeut në vitin 48 p.Kr. Çezari në kujtimet e tij për Luftën Civile e përshkruan Orikun, si një qytet të fortifikuar mirë, me mure të forta dhe disa hyrje të pajisura me kulla. 

Qyteti rindërtohet dhe ri fortifikohet në antikitetin e vonë, ndërsa rezultatet e gërmimeve arkeologjike tregojnë se jeta vijon edhe në shekujt e mëvonshëm. Emri i tij mesjetar, Ericho, i përmendur nga historiania bizantine Ana Komnena në shek. XI, reflekton origjinën e emrit të vjetër, ndërkohë që kodra ku u ndërtua qyteti njihet sot si Paleokastër. Rrënojat arkeologjike në Orikum kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj që në fillimin e shekullit të XX, por gërmimet e mirëfillta arkeologjike filluan në vitin 1958 nga një ekspeditë shqiptaro-sovjetike e drejtuar nga Dh. Budina dhe N. Kabilina.

Këto gërmime përfshinë një sipërfaqe prej 400 m2 dhe zbuluan një monument në formë eksedre të cilin e interpretuan si teatër dhe disa shkallë të gdhendura në shkëmb që përbëjnë dhe elementin kryesor për të kuptuar organizimin urbanistik. Mbas një ndërprerje prej disa dekadash, gërmimet do të rifillonin sërish në vitin 2007 nga një projekt i përbashkët shqiptaro-zviceran i Institutit të Arkeologjik së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës. Nga puna tashmë dhjetëvjeçare e këtij projekti, u zbuluan një sërë monumentesh të reja, si dhe u përftuan të dhëna të reja mbi historinë dhe kronologjinë e sitit. Nga gërmimet është zbuluar një teatër antik, pjesë të ndryshme të fortifikimit, një ndërtesë e tipit monopter, një kishë mesjetare dhe disa banesa.

Adresa: LOREM

Tarifat e Biletave:
  • Biletë për turistët vendas dhe të huaj: 300 lekë;
  • Biletë grup +12: 200 lekë.
Oraret e Vizitueshmërisë:
  • E Hënë: Pushim;
  • E Martë – E Shtunë: 09:00 -16:00;
  • E Dielë: 09:00 -14:00.