PARKU ARKEOLOGJIK I APOLONISË
Parku Arkeologjik i Apolonisë është një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike në Shqipëri, si dhe një nga parqet arkeologjike më të mëdhenj të vendit, me një shtrirje prej rreth 750 hektarësh. I themeluar në shekullin e VII para Krishtit nga kolonistë grekë, qyteti antik i Apolonisë u zhvillua shpejt në një qendër të fuqishme ekonomike, politike dhe kulturore të Ilirisë së jugut, duke ruajtur gjatë shekujve gjurmë të qytetërimeve të mëdha të Mesdheut.
Brenda mureve të tij fortifikuese dhe në hapësirat ekstraurbane, Apolonia ruan një potencial arkeologjik të jashtëzakonshëm, me monumente të karakterit social, politik, religjioz dhe kulturor. Tempulli i Apolonit, Odeoni, portiku monumental, bulevardi qendror, teatri dhe ndërtesat publike e private janë dëshmi të qarta të shkëlqimit që ky qytet ka pasur në lashtësi. Në hapësirat jashtë mureve fortifikuese shtrihen nekropole monumentale dhe struktura të kultit që flasin për besimet dhe ritualet e kohës.


