Kërko
antigone

PARKU ARKEOLOGJIK ANTIGONE

Antigonea është ndërtuar rreth shekullit të III p.e.s. Rrënojat e këtij qyteti gjenden 14 km larg qytetit të Gjirokastrës. Antigonea ishte një qytet që u ndërtua nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja. Ky qytet lidhet me Pirron E Epirit i cili pasi u rrëzua nga froni iku ne Egjipt ku u përzgjodh nga mbretëresha për tu martuar me Antigonen. Për mirënjohje ndaj gruas së tij Pirro ndërtoi qytetin të cilit i vendosi emrin e gruas. Ky vend u kthye në një qendër shumë të rëndësishme për shkak të luginës së Drinosit. Qyteti në formë delfini shtrihet në një varg kodrash midis dy kreshtave që lidhen me njëra-tjetrën me një shteg të ngushtë. Sipërfaqja urbane e qytetit brenda dhe jashtë fortifikimit llogaritet të ketë qenë rreth 60 ha.

Qyteti ishte i rrethuar nga mure solide rreth 4,000 m gjatësi, që mbronin qytetin nga të gjitha anët, veçanërisht në pjesën jugore dhe perëndimore ku rreziku ishte më i madh për shkak të terrenit. Muret fortifikuese dhe ato të shumicës së shtëpive të zbuluara deri tani janë bërë me blloqe të madhësive të mesme e të mëdha guri gëlqeror, të marra nga gurorja e malit të Lunxhërisë. Disa objekte të vogla rurale jashtë mureve rrethues, dhe veglat bujqesore të zbuluara gjatë gërmimeve si gurët e mullirit dhe enët qeramike për përpunimin e produkteve bujqësore tregojnë se qyteti ishte një territor bujqësor i zhvilluar mirë, diçka për të cilën rajoni është edhe sot i famshëm.

Fitorja e ushtrisë Romane kundrejt Maqedonasve i dënoi ashpër Epiriotët të cilët luftuan krah Maqedonisë. Ekzistenca e mëtejshme e qytetit dëshmohet vetëm nga rrënojat e një kishe të vogël, në dyshemenë e së cilës gjendet një mozaik i Shën Kristoforit dhe një emblemë greke që dëshmon ekzistencën e qytetit në periudhën paleo–kristiane. Kjo kishë ishte godina e fundit e ndërtuar në Antigonenë e lashtë. Ajo u shkatërrua gjatë sulmeve sllave në shekullin VI pas Krishtit. 

Adresa: Njësia administrative Antigone ,fshati Saraqinishtë 

Tarifat e Biletave:
  • Bileta individuale: 300 lekë;

  • Bileta për grupe +12 veta: 200 lekë;

  • Nxënës dhe Studentë: 90 lekë;

  • Invalidë dhe Pensionistë: 150 lekë;

  • Fëmijë deri në 12 vjeç: Falas;

  • E diela e fundit e muajit: Falas;

Oraret e Vizitueshmërisë:
  • Periudha Nëntor – Mars: E Martë – E Dielë 09:00 -16:00
  • Periudha Prill – Tetor: E Hënë – e Dielë 09:00 -19:00