Të gjitha veprat e kësaj ekspozite kanë kaluar në duart tuaja?
Shumica e këtyre veprave kanë kaluar në procesin estetik, atë të bërjes së vizitueshme. Ne kemi menduar që edhe vitin që vjen, veprat e Idromenos të vazhdojnë procesin e restaurimit. Kemi disa punë, si “Pamje nga Ulqini” apo “Dasma Shkodrane”, të cilat janë lënë për më vonë, pasi ato paraqesin të tjera problematika. Kur në një vepër është ndërhyrë më parë, përgjegjësia është më e madhe se me punët e paprekura, sepse duhen vlerësuar dhe bërë provat mbi materialet e përdorura, nëse këto ndërhyrje duhen hequr ose jo. Ndaj edhe ne i lamë për një moment të dytë.
Prej sa vitesh merreni me restaurim?
U bënë 10 vjet tashmë. Ishte një fat të ndiqja Shkollën e Restaurimit, të zhvilluar nga UNESCO, pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, në vitin 2009-2010. E quaj fat, sepse punuam me specialistë të përzgjedhur nga UNESCO dhe me teknikat dhe materialet e kohës.
Duhet të jetë një profesion që kërkon shumë durim dhe kohë…
Durimi në profesionin tonë është pjesë e punës, i cili fillon me hulumtimet paraprake, fotografimi i të gjitha fazave, konsolidimi, pastrimi dhe faza estetike. Secila nga këto faza ka rëndësinë e saj. Pastrimi është shumë delikat, pasi duhet të jesh i kujdesshëm në heqjen e shtresave të vernikut, velaturave dhe të papastërtive mbi vepër. Pjesa manuale që realizohet me bisturi, kërkon shumë kujdes, duke përdorur lente e mikroskop në varësi të ndërhyrjes, gjithashtu dhe pjesa kimike- fizike, kërkon njohuritë dhe kujdes. Gjithçka është me masë. Pjesa estetike është sa e bukur aq dhe delikate, sepse është faza e fundit e restaurimit dhe ajo ç’ka do shohë publiku. Çdo 15-20 minuta duhet të shlodhësh sytë dhe të kthehesh e ta shohësh veprën me një sy të freskët, por edhe duhet të kontrollojmë e të kujdesemi për kolegët.
Është një punë paskuintash, por kur nxirrni një vepër në dritë duhet të ketë shumë kënaqësi apo jo?
Pjesa e bukur është kur ti ua tregon njerëzve punën e përfunduar. Sigurisht kur një vizitor vjen në ekspozitë, ai nuk e di se si ka qenë më herët ajo vepër. Përshembull në rastin e pikturës “Portret Plaku”, vizitorët është e sigurt që do të merren me “pikat” në pikturë, por nëse do ta dinin se si ka qenë ajo më parë, sigurisht që nuk do të merreshin me to. Në rastin e “Kur hyn dreqi në shtëpi”, nuk arritëm të hynim në pjesën estetike, pasi ajo kërkon ndoshta një vit punë, për të mbushur plasaritjet. Ne vendosëm që stukimet të ngjyroseshin me kafe të errët, gati në të zezë, që të dilte në pah drita e pikturës dhe imazhi i veprës të lexohej. Kjo është teknikë që përdoret në raste të tilla. Është një qëndrim që mbahet nga ana e restauratorëve. Publiku ka mundësi të lexojë veprën, artistin, ndërsa puna e restauratorit është e ndarë nga vepra. Tanimë duhet të vendosim nëse veprën duhet ta lëmë kështu, apo do të hyjë edhe restauratori dhe te plotësojë me një ton më të ulët apo me viza. Kjo teknikë lejon leximin e gjithë figurës, por nga afër ato janë të dukshme.
Pak më parë ju thatë se veprat, në të cilat është ndërhyrë më herët, paraqesin më tepër vështirësi, sidomos në mungesë të skedave përkatëse. Sa i rëndësishëm është dokumentimi i procesit të restaurimit?
Për konservimin dhe restaurimin, dokumentimi fotografik dhe ditari i ndërhyrjeve, është një proces sa i bukur, aq edhe i rëndësishëm. I bukur, sepse përgjatë tij, bëhet krahasimi mes fotografive, se si ka qenë dhe si është. Ndësa dokumentimi në kartela e konservim-restaurimit, ku shënohen të gjitha problematikat dhe ndërhyrjet, është po aq i domosdoshëm, pasi dhe pas shumë vjitesh, restauratorët e tjerë nuk do të humbasin kohë duke bërë prova si ne, por do t’i kenë të dokumentuara të gjitha ndërhyrjet, materialet, në kartelat e veprave. Materialet e restaurimit janë riversibël, që edhe pas shumë vitesh, ashtu si janë aplikuar, ashtu edhe mund të hiqen.
Cila është sfida e radhës për sektorin tuaj?
Vepra “Dy rrugët” është sfida e radhës për sektorin tonë, një tablo që ka ardhur nga Muzeu “Oso Kuka” dhe do t’i nënshtrohet restaurimit së bashku me pikturën “Dasma Shkodrane”.
Korrik 2019