Kur ishte e vogël, ajo ishte “shpirti i vogël i babës”, sot është “shpirti i baletit” dhe gjithë jetën i mbeti emri: Zysh Piti. Nuk ka balerinë shqiptarë, që nuk e njohin atë, sa e dashur aq edhe e rreptë, mësuesja e sa e sa breza artistësh me karrierë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.
Nermin Ahmeti apo Zysh Piti hyri në rrugën e baletit, shumë vite të shkuara, kur për shumë shqiptarë ishte një tabu.
“Nëna ime ka qenë e emancipuar për kohën dhe gjithnjë thoshte që vajzat do t’i bëj artiste ose sportiste, dhe në të vërtetë ashtu u bëmë. Nga 6 motra, dy u bëmë artiste e dy sportiste”, tregon ajo për ” Sekrete mjeshtërie”.
“Në vitin 1957, kur erdhi nga Rusia një brez i tërë të shkolluarish atje, si Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, Zoica, Ganimeti, etj., u hap për të parën herë Shkolla e Baletit. Ne ishim një grup shoqesh 10-vjeçare, që u paraqitëm atje dhe ato që përmbushnin kriteret, u pranuan. Shkolla zgjaste 6 vjet, por mua më morën në punë një vit përpara se të mbaroja shkollën. Punova disa vjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku realizova edhe role solistike. Më pas, në vitin 1969 fillova punë si mësuese teknike në Shkollën e Baletit. Jam e para mësuese efektive, pasi kishte shumë të tjerë që punonin me kohë të pjesshme, ndërsa punonin në TOB”, tregon ajo, ndërsa shumë njerëz e përshëndesin.



