Kërko
muzeu_marubi_adattato

MUZEU KOMBËTAR I FOTOGRAFISË MARUBI

Krijimi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” erdhi si nevojë për të evidentuar dhe promovuar arkivin fotografik të Dinastisë Marubi dhe fotografëve të tjerë të qytetit të Shkodrës, një trashëgimi kulturore unike në llojin e vet.

Në qendër të projektit të muzeut është trashëgimia e ‘Foto-Studio Marubbi’, themeluar në vitin 1856 nga Pietro Marubbi, piktori dhe fotografi italian i cili kishte ardhur dhe ishte vendosur në Shkodër në atë kohë. Aktiviteti i studios ndër vite, do të drejtohej dhe pasurohej nga tre breza fotografësh deri në fillimin e viteve 1950 kur Gegë Marubi u detyrua t’i dorëzohej anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në Kooperativën e Riparim-Shërbimeve, sektor i së cilës ishte edhe fotografia.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka “Marubi” me rreth 500,000 negativë në teknika dhe formate të ndryshme të cilët në momente të caktuara, u përdorën edhe për të ushqyer makinerinë e propagandës komuniste me imazhet historike që buronin nga arkivi. Pikërisht në këtë periudhë, shumë prej tyre u shfaqën në botimet e kohës të manipuluara dhe të tjetërsuara.

Muzeu i ri i projektuar nga studioja arkitekturore Casanova + Hernandez, është krijuar si një hapësirë për të promovuar dialogun e vyer midis traditës dhe modernitetit, së kaluarës dhe së tashmes. Trashëgimia dhe tradita theksohen përmes restaurimit të ndërtesës historike të projektuar nga Kolë Idromeno – artisti dhe arkitekti shqiptar, ish nxënësi i Pietro Marubbi-t – duke ruajtur karakteristikat e saj strukturore.

Muzeu shtrin funksionet e tij përtej mureve, në pedonalen e qytetit, përmes një ekspozitori të vendosur përballë hyrjes, konceptuar si një element lidhës për të bërë të mundur që modeli i hapur dhe i gjallë i muzeut të veprojë si shënjues kulturor për Shkodrën.

Tërësia e programeve të propozuara nga muzeu janë një mekanizëm aktiv për promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie kulturore në qytet dhe më gjerë. Dinamika e veprimtarive të muzeut ka tërhequr vazhdimisht interesin e vizitorëve, studiuesve dhe kuratorëve brenda dhe jashtë vendit që nga hapja e tij.

Në vitin 2017, muzeu ishte ndër finalistët e nominuar për çmimin prestigjioz EMYA si Muzeu Evropian i Vitit. Ndërtimi, muzealizimi dhe ngritja e programit të Muzeut Kombëtar të Fotografise ‘Marubi’ u mbështet nga : Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë; Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF); Fondi Shqiptar i Zhvillimit; Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC).

 

Adresa: Rruga “Kolë Idromeno”, Nr. 32, 4001 Shkodër, Shqipëri.

Tarifat e Biletave:

Kategoritë dhe çmimet e biletave në sportel*

  • Biletë për turistët vendas dhe të huaj: 700 lekë;
  • Biletë grup +12: 600 lekë.
  • Nxënës dhe Studentë: 210 lekë;
  • Fëmijë deri 12 vjeç: Hyrja falas;
  • E diela e fundit te muajit: Hyrja falas;
  • Invalidë dhe Pensionistë: 350 lekë.
Oraret e Vizitueshmërisë:
  • E Hënë: Pushim;
  • E Martë – E Shtunë: 09:00 -16:00;
  • E Dielë: 10:00 -15:00.
Ditët e hyrjes së lirë:
  • 18 Prill: Dita Ndërkombëtare e Monumenteve / Dita Ndërkombëtare e trashëgimisë Kulturore;
  • 18 Maj: Dita Ndërkombëtare e Muzeve;
  • 21 Maj: Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim;
  • 29 Shtator: Ditët europiane të trashëgimisë Kulturore;
  • 28 Nëntor: Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë;
  • 29 Nëntor: Dita Kombëtare e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë);
  • E diela e fundit: Muajt tetor deri në prill (vetëm për shtetasit shqiptarë);