MUZEU KOMBËTAR "GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU"
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është përuruar më 1 Nëntor 1982, ndërtuar në kështjellën e Krujës, në të majtë të hyrjes së saj. Arkitektë të muzeut janë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha. Muzeu është ndërtuar në Krujë për faktin se ajo ishte kryeqendra e Arbërisë dhe rezistencës së shekullit XV kundër sulmeve osmanëve dhe emri i saj bëhet i njohur në gjithë Evropën. Dështuan tre rrethime (1450,1466,1467) dhe osmanët e morën Krujën vetëm në vitin 1478.
Ndërtesa ka karakterin e një memoriali. Në zgjidhjen arkitektonike të jashtme shquhen dy vëllime kryesore, pjesa e shtrirë horizontale me sallat e mëdha kryesore dhe pjesa me theksim vertikal e trajtuar si kullat shqiptare të veriut. Hapësirat e brendshme janë zgjidhur në mënyrë që mjediset të ndërthuren duke krijuar një hapësirë të vetme të pandërprerë, ashtu siç është përmbajtja e historisë së paraqitur.
Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona dhe këmbana origjinale.Veprat e artit, gdhëndjet në gur, në dru, hekuri i rrahur si dhe hartat, grafiket,pikturat në xham kanë vlerat e një materiali ndihmës historik.
