MUZEU BESA
Në vitet që vijnë, Tirana do të bëhet dëshmitare e lindjes së një institucioni unik, ku historia, arkitektura dhe vlerat universale të humanizmit do të ndërthuren në një hapësirë të vetme: Muzeu Besa. I vendosur në zemër të qytetit, në rezidencën historike të familjes Toptani, një ndërtesë e shekullit XIX, e cila vetë mban mbi vete gjurmë të kohës dhe të memories, ky muze do të jetë një simbol i përhershëm i një fjale që ka përkufizuar shqiptarët brez pas brezi: Besa.
“Besa” është më shumë se një fjalë. Ajo është një kod nderi, një premtim i pathyeshëm, një shprehje e mikpritjes pa kushte, që ka shënjuar identitetin shqiptar në momente kyçe të historisë. Është ajo që bëri që shqiptarët të hapnin dyert për hebrenjtë gjatë Holokaustit, duke i shpëtuar nga përndjekja; është ajo që i bëri ata të strehojnë refugjatët kosovarë gjatë luftës së viteve ’90 dhe të ofrojnë mbrojtje për afganët në kohët më të fundit. Besa është gjuha morale e këtij kombi – një gjuhe që tani do të ketë shtëpinë e saj.
Me anë të këtij muzeu, Shqipëria do të prezantojë para botës një nga vlerat e saj më të rralla, duke e kthyer Besën në një mesazh ndërkombëtar solidariteti e humanizmi.
Arkitektura e muzeut, e konceptuar nga studioja ndërkombëtare Oppenheim Architecture, do të ndërthurë me delikatesë të kaluarën dhe të ardhmen. Në sipërfaqe, ndërtesa historike e Toptanëve do të restaurohet me kujdes, duke rikthyer jetën e dikurshme shqiptare, artin dhe traditat që mbajnë brenda frymën e Besës. Në nëntokë, vizitorët do të përjetojnë një dimension bashkëkohor, ku teknologjia, drita, tingulli dhe hapësirat interaktive do ta sjellin këtë koncept në një gjuhë universale, të prekshme dhe të përjetueshme.
Oborri i kompleksit do të shndërrohet në një shenjë të dukshme mikpritjeje. Monolitët e kuq që do të ngrihen në hapësirën e jashtme do të jenë si simbole të kujtesës dhe si fenerë që thërrasin vizitorët nga qyteti përreth, duke krijuar një pikë takimi mes trashëgimisë dhe modernitetit.
Por Muzeu Besa nuk do të jetë vetëm një hapësirë muzeale. Ai do të ketë arkiva, hapësira edukative, ekspozita, auditorë dhe mjedise për dialog kulturor, duke u shndërruar në një qendër të gjallë të reflektimit, mësimit dhe ndërveprimit. Ai do të jetë një vend ku të rinjtë do të mësojnë për virtytet që kanë mbajtur gjallë kombin, dhe ku vizitorët ndërkombëtarë do të prekin nga afër shpirtin e mikpritjes shqiptare.
Muzeu Besa është një projekt që flet për rrënjët, por njëkohësisht shikon kah horizonti. Është një dëshmi se trashëgimia kulturore nuk është vetëm një kujtim, por një energji e gjallë që mund të frymëzojë shoqërinë, të forcojë lidhjet mes kombeve dhe të japë mesazhe të fuqishme solidariteti në një botë që shpesh ka nevojë për to.
Në të ardhmen, kur dyert e këtij muzeu të hapen, ai nuk do të tregojë vetëm historinë e një familjeje apo të një kombi, por do të kumtojë një të vërtetë universale: se mikpritja dhe besimi tek fjala e dhënë janë vlera që na bëjnë njerëzorë. Dhe kjo është trashëgimia më e madhe që Shqipëria mund t’i dhurojë botës.
