Kërko

Mozaiku i Tiranës

Mozaiku i Tiranës është një nga monumentet më të veçanta të arkeologjisë shqiptare dhe një nga të paktat dëshmi të jetës së hershme urbane në kryeqytet. Ai ndodhet në zonën e njohur si “Vilë Romake”, në perëndim të qytetit, dhe i përket periudhës së shekujve III – IV pas Krishtit.

Mozaiku u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë punimeve ndërtimore në atë zonë. Zbulimet arkeologjike treguan se aty ka ekzistuar një banesë e pasur romake, e cila më vonë, gjatë periudhës paleokristiane, u shndërrua në bazilikë.

Elementi më i spikatur i sitit është dyshemeja e zbukuruar me mozaikë me motive gjeometrike dhe floreale, të realizuar me gurë shumëngjyrësh, që ruajnë edhe sot një pjesë të bukurisë së tyre origjinale. Këto motive janë tipike të artit të periudhës antike dhe përfaqësojnë mjeshtërinë e lartë të punuesve të kohës.

Pas restaurimit të fundit, Mozaiku i Tiranës është transformuar në një hapësirë moderne muzeale, ku vizitorët mund të shijojnë jo vetëm veprën origjinale, por edhe instalacione interaktive dhe ekspozita digjitale. Itinerari i ri i ndërtuar për vizitorët është menduar për të gjitha grupmoshat, me një fokus të veçantë tek fëmijët dhe të rinjtë, duke e shndërruar sitin në një qendër edukimi dhe kulture.

Në vijim, hapësira do të pasurohet me pajisje multimediale që do të mundësojnë shfaqjen virtuale të mozaikëve nga e gjithë Shqipëria, duke e kthyer Mozaikun e Tiranës në një qendër unike të prezantimit të trashëgimisë sonë kulturore.