Puna e saj nuk ka orar. Ditëve të shfaqjeve, i ndodh që mesnata ta zërë pas kuintash, duke sistemuar dhe përgatitur garderobën për të nesërmen. Ajo duhet të ketë gjithçka nën kontroll. Ndoshta askush nuk e di se çfarë rëndësie ka puna e saj gjatë shfaqjeve, dhe çfarë tensioni mbart ajo. Ajo i është falenderuese aktorëve për bashkëpunimin, por edhe familjes së saj, që nga prindërit që i ushqyen dëshirën për punë, tek bashkëshorti dhe vajza, që janë mbështetës dhe mirëkuptues për orët e saj të gjata në punë.
“Është një punë që kërkon shpejtësi dhe vëmendje. Ndodh që aktorët të kenë disa ndërrime veshjesh gjatë shfaqjes, ndaj duhet të jesh sa më e shpejtë, përndryshe atij do t’i ikë batuta. Para se të fillojë shfaqja kontrolloj të gjitha veshjet, nëse kanë ndonjë problem, pasi nuk dua që të ndodhë, që në momentin e fundit aktori të zbulojë se e ka zinxhirin e prishur apo i mungon një kopsë. Por na kanë ndodhur edhe incidente ndaj shfaqjeve. Aktorit Bes Bitraku i janë shqepur pantallonat gjatë shfaqjes ‘Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë’, mu desh t’ia kapja me paramanda. Por të nesërmen i kishte të qepura, të lara, të hekurosura”.
Koralda nuk e ka llogaritur asnjëherë lodhjen. Për të ka qenë kënaqësi të punonte mes njerëzish të shquar, t’i njihte nga afër, të mësonte prej tyre, të ndante momente gëzimi e trishtimi, edhe pse në kushte shumë të vështira. Ambientet e vjetra të Teatrit Kombëtar, nuk i jepnin shumë mundësi t’i ruante rrobat si ajo do të donte, megjithatë ajo përpiqej të bënte maksimumin. “zotësi është të dish të mbash një kasolle, se vilën, dinë të gjithë”, thotë ajo, pa e fshehur krenarinë për punën e bërë në gati 3 dekada.
“Kam pasur fatin të punoj me të gjitha brezat, me Kadri Roshin te “Inspektori”, e Sulejman Pitarkën te “Pjata prej druri”, me Drita Pelinkun, Margarita Xhepën, Violeta Manushin, për të vijuar me Bujar Lakon, Ndriçim Xhepën, Bujar Asqeriun, Yllka Mujon, Luiza Xhuvanin etj., për të arritur deri te studentët, të cilët i kam ndihmuar me sa kam mundur dhe kam marrë pas edhe kënaqësi. Në fund, ajo çka mbetet është mirënjohja”, thotë ajo.
Prej 27 vitesh ajo është kthyer në gardianen e thesarit të Teatrit Kombëtar. Kështu e quan ajo garderobën, ku thotë se ruhen veshje që nga “Cuca e maleve”. Ka kaq shumë veshje, që duket sikur ruajnë brenda tyre shpirtrat e personazheve, që i kanë veshur. Dhe ajo kujdeset që t’i ruajë, të luftojë me kohën. Të gjitha mbartin në vetvete histori. Por siç thotë ajo, pak naftalinë në xhep mund të bëjë mrekullira, të mbajë gjallë veshje që në vitet ’50-’60.
“Kemi veshje ushtarake, veshje priftërinjsh, veshje stofi, të cilat mund t’i grijë mola. Veshje që nga koha kur Drita Pelinku ishte 18 vjeç, deri te shfaqjet më të fundit. Janë veshje pafund, të cilat sot janë paketuar për t’u zhvendosur nga ambientet e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar. I kam vendosur në kuti së bashku me varëset, së bashku me etiketat përkatëse, që të kem mundësi, që atje ku të vendosen, t’i hap sipas shfaqjeve”, shton ajo, me shpresën se do të gjejë ambientet e duhura për garderobën historike të Teatrit Kombëtar.
Gusht 2019