Kërko

“Festivali FolklorikTipologjik Kombëtar i Sazeve Popullore”.

Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve Popullore”, edicioni XIV, do të zhvillohet më datat 20-21 qershor 2026, si një veprimtari me rëndësi të veçantë për folklorin instrumental shqiptar, me fokus formacionin e sazeve popullore dhe rolin e tij në traditën muzikore shqiptare.
Formacioni i sazeve përfaqëson një nga format më të hershme orkestrale popullore, i cili ka shoqëruar jetën familjare, qytetare dhe festive të komuniteteve në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Qytetet dhe krahinat me traditë të hershme në këtë formacion janë Përmeti,Leskoviku, Kolonja, Korça, Delvina, Berati dhe Pogradeci etj.
Më pas, kjo traditë është përhapur edhe në Tepelenë, Vlorë, Devoll, Myzeqe si dhe në komunitetin çam brenda vendit.
Përmes realizimit të këtij festivali synohet ruajtja, vijimësia dhe promovimi i traditës së sazeve popullore duke nxitur interpretimet cilësore, zbulimin e elementeve të rinj artistikë, talenteve dhe prurjeve të reja në këtë zhanër. Interesi i publikut dhe niveli i artistëve interpretues e bëjnë këtë veprimtari një hapësirë të rëndësishme për promovimin e folklorit instrumental shqiptar, për edukimin me vlerat e kulturës kombëtare dhe për nxitjen e artistëve konkurrues në vazhdimësinë e kësaj tradite.
Ky festival do të realizohet nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkinë Kolonjë.
Gjatë paraditeve të të dyja ditëve, pjesë përbërëse e programit do të jetë edhe panairi i artizanatit dhe kulinarisë i cili do të pasurojë atmosferën festive dhe do të promovojë mjeshtëritë tradicionale, produktet vendase dhe vlerat kulturore të komunitetit.
Festivali ka karakter konkurrues dhe
fituesit do të vlerësohen me çmime.

Në sheshin kryesor të qytetit të Ersekës
21 Qershor, Ora 18:00