12 Dhjetor, Ora 18:00
13 Dhjetor, Ora 18:00
Në edicionin XVI të “Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso-Polifonisë”, synohet zhvillimi, nxitja dhe promovimi i kësaj trashëgimie të vyer përmes eksplorimit të mëtejshëm të këngëve sipas zonave Labë, Toskë dhe të Bregdetit, duke krijuar hapësira të reja për zbulimin e talenteve të reja dhe për afirmimin e kësaj kënge shumëzërëshe.
Ky festival, është parashikuar të organizohet nga
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale në bashkëpunim me MTKS dhe Këshilli i Qarkut Vlorë.
Festivali përfaqëson një ngjarje të rëndësishme kulturore me vlera të jashtëzakonshme, që synon të promovojë dhe të mbrojë trashëgiminë kulturore jomateriale shqiptare, veçanërisht iso-polifoninë e shpallur nga UNESCO në vitin 2005 si “Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit”.
Aktiviteti shërben si një platformë e rëndësishme për ruajtjen dhe përcjelljen e pasurisë shpirtërore të
Iso-Polifonisë, ku përmes larshmërisë së interpretimeve, mjeshtërisë së ekzekutimit dhe autenticitetit të kostumeve tradicionale, dëshmohet vijimësia e kësaj tradite të çmuar dhe përpjekja për të ruajtur cilësinë e saj artistike e origjinalitetin.
Në këtë edicion parashikohet pjesëmarrja e rreth 22 grupeve polifonike nga bashkitë dhe qarqet ku këndohet kënga polifonike, kryesisht në zonat e Labërisë, Toskërisë, Bregdetit etj.
Festivali ka karakter konkurrues dhe fituesit do të vlerësohen me çmime, ndërsa pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata pjesëmarrjeje, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në ruajtjen e kësaj pasurie shpirtërore kombëtare.
Teatri “Petro Marko”, Vlorë
