Për të realizuar një violinë, Erlit i duhet një muaj kohë. Brenda vitit, edhe në varësi të kërkesave, mund të realizojë 7-8 të tilla. Nëse ka marrë porosi për një violonçel, puna kërkon më shumë kohë. E ka të vështirë të thotë se cili është ai më i lodhshmi, më delikati. Secili kërkon shumë durim, precizion. Që nga përzgjedhja e drurit, që si gjithçka vjen nga jashtë, gdhendja, realizimi i një objekti të bukur estetikisht, por mbi të gjitha nga ana akustike, e deri te vendosja e telave dhe ai momenti kur do të dëgjosh tingullin e parë. Precizioni duhet të jetë maksimal, luhet me të dhjetat e milimetrit… Nga një milimetër mund të varet tingulli i violinës dhe për këtë nuk duhet vetëm precizion, luftë nervash, por edhe një vesh i mirë muzike, në të kundërt do të ishte e pamundur të kapje tingullin e qashtër e të bukur. “Çdo copë druri ka reagime të ndryshme. Është zotësia e liutaio-s, që të kuptojë jo vetëm reagimin, por edhe kur duhet të ndalojë së punuari për të arritur tingullin e duhur”.
Tani është duke realizuar violinën e 52-të dhe 90% e tyre ka udhëtuar jashtë shtetit. “Për instrumentistët shqiptarë është shumë e vështirë të ketë një violinë-autor. Në një kohë që është kaq e rëndësishme që të kesh një të tillë, që të jep mundësi të shprehesh. Janë shumë të paktë dhe më së shumti puna këtu kufizohet në riparime. Tregu im është jashtë shtetit”, thotë ai.
Ndërsa numëron 52 instrumente të realizuara, ai kujton si sot violinën e parë që ka realizuar. Kjo, jo sepse nuk ka pranuar ta shesë, por e ka blerë atë. “Violinën e parë ia kam dhuruar prindërve të mi. E kam realizuar në shkollë, ia kam blerë shkollës dhe ia dhurova atyre dhe herë pas here e shoh, jo thjesht për nostalgji, por edhe për të bërë krahasime të punës sime”, thotë Erli.
Me siguri, nuk është vetëm kaq. Aty është mbrujtur gjithë trashëgimia e brezave, dashuria për profesionin, pasioni, orët e gjata të punës dhe të pritjes, emocioni i të parit instrument të realizuar me duart e veta…. Për bilance, është ende herët. A do të arrijë 1000 violinat e Stradivarit?!
Korrik 2019