Në zbatim të nenit 200 pika 5, të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë dhe VKM nr. 1039, datë 04.12.2013 “Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe përcaktimin e përqësuesve të Këshillit të ministrave në këtë këshill”, të ndryshuar, Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Punës me përfundimin e mandatit 3-vjeçar (trevjeçar), mbledh dokumentacionin e organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve që janë të interesuara të jenë pjesë e këtij Këshilli.
Përfaqësimi i organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës, (pika 4/1 e VKM nr. 1039, datë 04.12.2013, i ndryshuar), përcaktohet sipas kritereve të mëposhtëm:
Për organizatat e punëmarrësve (konfederata, federata, sindikata)
- Personalitet juridik sipas legjislacionit në fuqi, prej më shumë se 2 (dy) vjet;
- Pavarësi organizative e financiare;
- Shtrirje territoriale në të paktën 50 % të qarqeve të vendit, përfshirë dhe qarkun e Tiranës;
- Strukturë administrative për të përmbushur detyrimet ligjore të Partneritetit Social;
- Numri i përgjithshëm i anëtarëve në Konfederatë, të jëtë jo më pak se 5% e numrit të përgjithshëm të punëmarrësve në shkallë vendi, por jo më pak se 20,000 (njëzet mijë) anëtarë; ndërsa për Federatat dhe Sindikatat numri i përgjithshëm i anëtarëve në shkallë vendi të jetë jo më pak se 5% të numrit të punëmarrësve në degën/profesionin përkatës;
- Numri i kontratave kolektive si dhe numri i përgjithshëm i punëmarrësve të mbuluar me kontrata kolektive;
- Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të punëmarrësve.
Për organizatat e punëdhënësve
- Personalitet juridik sipas legjislacionit në fuqi, prej më shumë se 2 (dy) vjet;
- Pavarësi organizative dhe financiare;
- Shtrirje territoriale në të paktën 50 % të qarqeve të vendit, përfshirë dhe qarkun e Tiranës;
- Strukturë administrative për të përmbushur detyrimet ligjore të Partneritetit Social;
- Numri i anëtarëve që punësojnë të jetë jo më pak se 5% të numrit të punëmarrësve në degën/profesionin përkatës;
- Numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të anëtarësuara, i cili nuk mund te jetë më i vogël se 10% nga numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të rregjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB);
- Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të punëdhënësve.
Gjithashtu, referuar pikës 14/1 të VKM nr. 1039, datë 04.12.2013, të ndryshuar, “Dokumentacioni i depozituar përbëhet nga vendimi i gjykatës, një kopje e statutit, deklarimet që kanë të bëjnë me numrin e anëtarëve në subjektet përkatëse, vërtetuar nga kuotizacioni ose vërtetimet noteriale, numri i kontratave kolektive të punës, shtrirja gjeografike e veprimtarisë, si dhe anëtarësimi i tyre në organizatat ndërkombëtare. Një organizatë e punëmarrësve apo e punëdhënësve vlerësohet më e përfaqësuar nëse ka numrin më të madh të kontratave kolektive dhe numrin më të madh të anëtarëve, ndërsa një organizatë punëdhënësish vlerësohet nga numri i ndërmarrjeve, numri i punonjësve të punësuar në ndërmarrje dhe numri i degëve/profesioneve.”
Dokumentacionit përkatës do të dorëzohet pranë Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Punës, brenda datës 25.06.2025, në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Për çdo nevojë për komunikim dhe paqartësi të mundshme, kontaktoni në: [email protected], [email protected]
