Cilët Jemi
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë (MEKI) është një institucion i rëndësishëm qeveritar që mbikëqyr dhe zbaton politikat në tre fusha kyçe: ekonomia, kultura dhe inovacioni. Kjo ministri ka një rol të veçantë në nxitjen e zhvillimit ekonomik, politikave të punësimit dhe arsimit profesional në përputhje me nevojat e tregut, politikat e strehimit dhe banesave, tërheqjes së investimeve të huaja, si dhe në promovimin artit, kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, duke krijuar një mjedisi që favorizon inovacionin teknologjik dhe industrinë kreative.
Ekonomia
Ministria luan një rol në hartimin dhe zbatimin e politikave që nxisin rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Ajo bashkëpunon me aktorë të ndryshëm për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të mbështetur sektorë strategjikë.
Punësimi
MEKI merret me politikat e punësimit, të drejtat e punonjësve dhe zhvillimin e tregut të punës. Ajo synon të ulë papunësinë, të rrisë standardet e punës dhe të krijojë një mjedis të drejtë dhe të qëndrueshëm për punëmarrësit dhe punëdhënësit. Kjo përfshin përmirësimin dhe sigurimin e kushteve të denja të punës, sigurimet shoqërore e pensionet, ndihmat sociale, zhvillimin e politikave aktive të punësimit dhe promovimin e mundësive të barabarta në tregun e punës.
Arsimi Profesional
Ministria ka një rol kyç në promovimin dhe zhvillimin e arsimit profesional dhe teknik, duke e bërë atë të përshtatshëm për nevojat e tregut të punës. Përmes politikave të saj, ajo synon të pajisë të rinjtë dhe punonjësit me aftësi të reja dhe përgatitje praktike për të përmbushur kërkesat e industrive dhe sektorëve të ndryshëm. Kjo përfshin programe të trajnimit dhe zhvillimit të aftësive, si dhe bashkëpunime me biznese dhe institucione arsimore.
Strehimi
Politikat për strehimin dhe menaxhimin e banesave janë të orientuara drejt ofrimit të kushteve më të mira të jetesës për qytetarët, me theks të veçantë në familjet me të ardhura të ulëta, grupet vulnerabël dhe qytetarët e rinj që hyjnë në tregun e banesave.
Investimet e huaja
MEKI është përgjegjëse për krijimin e politikave që tërheqin dhe mbështesin investitorët e huaj, si dhe për rregullimin dhe monitorimin e mjedisit të biznesit për të siguruar një klimë të favorshme për investimet, nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit dhe integrimin në tregjet ndërkombëtare.
Arti dhe kultura
Ministria mbështet projekte artistike, festivale dhe ekspozita të ndryshme që promovojnë artin pamor, muzikën, teatrin, kinematografinë dhe letërsinë.Përmes programeve të diplomacisë kulturore dhe pjesëmarrjes në ngjarje ndërkombëtare,ministria promovon kulturën dhe artin shqiptar në botë.Gjithashtu, ajo mbështet teatro, galeri, muze dhe institucione të tjera kulturore që luajnë një rol kyç në zhvillimin e jetës kulturore të vendit.
Trashëgimia kulturore
MEKI është institucioni kryesor përgjegjës për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Ministria harton politika, planifikon dhe koordinon projekte për restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve historike dhe pasurive arkeologjike. Ajo gjithashtu mbështet dokumentimin dhe regjistrimin e trashëgimisë jomateriale dhe promovon artizanatin, organizimin e festivaleve, ekspozitave dhe ngjarjeve kulturore që rrisin ndërgjegjësimin për trashëgiminë.
Inovacioni
Ministria ndihmon në zhvillimin e politikave që nxisin inovacionin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë. Ajo mbështet projektet teknologjike dhe krijuese, krijon mundësi për ndërmarrje të reja dhe përgatit infrastrukturën për një ekonomi të orientuar drejt dijes.
