Kërko

Bienalja e Venecias

Bienalja Ndërkombëtare e Artit në Venecia

Bienalja Ndërkombëtare e Artit në Venecia është një nga ngjarjet më prestigjioze dhe me ndikim në botën e artit bashkëkohor. Që nga themelimi i saj në vitin 1895, ajo ka qenë një platformë kyçe për promovimin e artistëve dhe lëvizjeve artistike të kohës, duke ofruar një hapësirë ku përzihen artet vizuale, arkitektura, filmi, dhe arti performues.

Ky event i madh zhvillohet çdo dy vjet në qytetin historik të Venecias dhe karakterizohet nga një model multidisiplinar që përfshin ekspozita, pavilione kombëtarë, konferenca, dhe instalacione që reflektojnë zhvillimet dhe tendencat më të fundit në fushën e artit. Bienalja ka shërbyer si një pasqyrë e ndryshimeve kulturore dhe shoqërore gjatë shekullit të 20-të dhe vazhdon të jetë një ngjarje thelbësore për artistët dhe kritikët e artit në mbarë botën.

Në përgjithësi, Bienalja e Venecias përfaqëson një lidhje të fortë mes historisë së artit dhe inovacionit, duke mbajtur gjallë dialogun ndërmjet traditës dhe eksperimentit në art.

Iva Lulashi

Love as a Glass of Water

Shqipëria në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia
20 Prill – 24 Nëntor 2024

Artistja Iva Lulashi përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia.
Mundësuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me projektidenë “Love as a Glass of Water”, Lulashi mori pjesë në një prej ngjarjeve më të mëdha artistike në arenën ndërkombëtare.
Me një karrierë mes Shqipërisë dhe Italisë, Iva Lulashi është një artiste që eksploron në terrene të guximshme. E tillë është edhe prekja e saj në pavijonin shqiptar, që u kurua nga kritiku italian Antonio Grulli.

Tema që ajo trajton në krijimet e saj merr shkas nga teoria e “gotës së ujit”, që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai (1872 –1952). Bëhet fjalë për një teori që lidhet me idenë e revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Me një influencë shumë të madhe në qarqet artistike dhe letrare ruse, këto ide nisën të pengohen dhe përndiqen nga aparati politik revolucionar. “Ndonëse metafora e gotës me ujë lidhet me lehtësinë e të pirit, nuk duhet harruar se uji është ai element jetësor, krejt si dashura. Dhe, është absurde që tema si dashuria dhe dëshira seksuale zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sot dhe ato asnjëherë nuk janë në qendër të aktiviteteve të mëdha apo të vogla, sikur të flitej për tabu për të cilat nuk flitet, apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”, shprehet kuratori Antonio Grulli.

Pyetja që ngre artistja përmes veprës së saj është: Përse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?

Pikërisht, vepra e Iva Lulashit vendoset në këtë boshllëk artistik. Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së saj. “Dashuria dhe instinkti si një gjuhë universale, në gjendje për të tejkaluar të ndryshmen, kufijtë, jo vetëm gjeografikë, por edhe ata që ekzistojnë mes nesh; dashuria si forca primare e njeriut dhe botës që lëviz diellin dhe yjet“, shton Grulli.

Kuratori Antonio Grulli shpjegon se tema e bienales “Të huaj kudo” ka një kuptim të dyfishtë. “Së pari, do të thotë se kudo ku shkon apo gjendesh do të ndeshësh të huaj: janë/jemi kudo. Së dyti, pavarësisht vendndodhjes, në thelb mbetemi gjithnjë të huaj. Në Bienalen e Artit 2024 u fol për artistë që janë vetë të huaj, emigrantë, pjesë e diasporës, azilantë, refugjatë…”

Iva Lulashi është një prej tyre. E lindur në Shqipëri, por e shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia.

Viti 2007

Edicioni i 53-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2007, pavijoni shqiptar u përfaqësua nga artistët Helidon Gjergji, Gent Gjokola, Alban Hajdinaj, Armando Lulaj dhe Heldi Pema, nëpërmjet kuratorit Bonnie Clearwater.

Viti 2011

Edicioni i 54-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2011, pavijoni shqiptar u përfaqësua nëpërmjet kuratorit italian, Riccado Caldura dhe artistët si: Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle dhe Driant Zeneli, me projektin “Geopathies”.

Viti 2015

Edicioni i 56-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2015, pavijoni shqiptar, u përfaqësua me projektin “Trilogjia Shqiptare: Një Seri Stratagjemash të Tërthorta”, “Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems” e artistit Armando Lulaj, me kurator Marco Scotini.

Viti 2017

Edicioni i 57-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2017, pavijoni shqiptar u përfaqësua nëpërmjet artistit Leonard Qylafit dhe Vanessa Joan Muller, kuratore, me projektin e titulluar “Ndodhi në kohën e tashme”.

Viti 2019

Edicioni i 58-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2019, pavijoni shqiptar u përfaqësua me artistin Driant Zeneli, me projektin me titull “Maybe the cosmos is not so extraordinary”-“Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, nën kurimin e Alicia Knock.

Viti 2022

Edicioni i 59-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2022, pavijoni shqiptar u përfaqësua nëpërmjet krijimtarive të artistes Lumturie Blloshmi, me projektin me titull “Lumturie Blloshmi. Nga e para”, nën kurimin e Adela Demetja.

Viti 2024

Edicioni i 60-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia 2024, pavijoni shqiptar u përfaqësoua me artisten Iva Lulashi, me projektin me titull “Love as a glass of water” nën kurimin e Antonio Grulli.

Thirrje Bienalja e Artit në Venecia