MUZEU I TEATRIT TË KUKULLAVE DHE PARLAMENTIT TË PARË SHQIPTAR
Godina që sot njihet si Teatri i Kukullave ka një histori unike, duke u shndërruar me kalimin e kohës në një qendër kulturore dhe historike. Përveç funksionit të saj artistik si teatër për fëmijë, kjo ndërtesë ka luajtur një rol kyç në historinë politike të Shqipërisë: në të ka funksionuar Parlamenti i Parë Shqiptar.
Hapësira e parlamentit do të ruhet si një muze historik brenda godinës, duke ofruar vizitorëve një dritare drejt themelimit të institucionit përfaqësuese të vendit. Ajo ekspozon dokumente, fotografi dhe objekte të periudhës, duke treguar se si kjo sallë ka qenë vendi ku janë marrë vendime historike për konsolidimin e shtetit shqiptar.
Teatri i Kukullave do të vazhdojë të jetë një qendër kreative për fëmijë dhe të rinj, me shfaqje, aktivitete dhe punëtori që nxisin edukimin artistik. Kjo ndërthurje e veçantë mes trashëgimisë historike dhe artit të performancës do të ofrojë një përvojë unike vizitorëve, duke transformuar godinën në një hapësirë edukative, kulturore dhe historike.
Projekti për rijetëzimin e kësaj godine është pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të zhvilluar infrastrukturën kulturore dhe për të promovuar trashëgiminë historike dhe artistike në një mënyrë bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse.









