Referuar Ligjit 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe kërkesave e procedurës së përcaktuar për konkurim në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpall konkursin për pozicionin:
- Drejtor, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, kategoria e pagës II-1
*Afati për dorëzimin e dokumentave pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit deri në datë 09.07.2025.
Përshkrimi përgjithësues i punës:
- Objektivat e institucionit
- Ruajtja, përpunimi shkencor, pasurimi me materiale të reja dhe shfrytëzimi i materialeve arkivore filmike për krijime të veprave të reja kinematografike e televizive dhe veprave studimore, duke respektuar të drejtat morale dhe ekonomike të autorit.
- Mirëmbajtja, restaurimi dhe vënia në dispozicion të publikut e fondit filmik dhe fondeve të tjera artistike të lidhura me filmin, si trashëgimi kulturore kombëtare.
- Zhvillimin e veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare me qëllim përhapjen e kulturës filmike dhe ballafaqimin e vlerave si ato të trashëguara ashtu edhe ato bashkëkohore, dhe krijimin e një hapsire dialogu mbarëshqiptar e të diversitetit kulturor.
- Objektivat në administrim
- analizon, zbërthen dhe siguron zbatimin e vendimeve lidhur me politikat e ministrisë përgjegjëse për kulturën;
- është përgjegjës për hartimin e objektivave dhe zbatimin e planeve strategjike në përputhje me objektivat dhe misionin e AQSHF-së;
- monitoron dhe kontrollon faktorët e riskut që venë në rrezik arritjen e objektivave të AQSHF-së;
- planifikon, drejton dhe koordinon funksionimin e përgjithshëm të institucionit;
- siguron/garanton që burimet në dispozicion të Institucionit të organizohen në mënyrë efektive.
- përfaqëson institucionin në marrëdhëniet me të tretët;
- Kushtet për konkurim dhe kriteret e veçanta:
1.1 Kandidati duhet të plotësojë kushtet për konkurim si vijon:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;
- Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;
- Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
- Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore.
1.2 Kandidati duhet të plotësojë kërkesat e posaçme si vijon:
- Të ketë arsim universitar të nivelit “Master Shkencor” në shkenca Shoqërore.
- Të ketë të paktën 5 vite eksperiencë pune në profesion, si dhe/apo të ketë eksperiencë profesionale dhe të dokumentuar në fushën e menaxhimit dhe të projekteve të ndryshme.
- Të ketë të paktën 3 vite eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe drejtimit.
- Të ketë aftësi të dallueshme komunikimi në ruajtje dhe zhvillim të kontakteve brenda dhe jashtë institucionit, si dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë;
- Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi/ ngritje fondesh;
- Të zotërojë gjuhën angleze. Të ketë njohuri në gjuhë të tjera përbëjnë avantazh.
- Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
- Jetëshkrim (CV);
- Fotokopje të diplomës dhe të listës së notave të noterizuara;
- Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
- Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
- Vërtetim të gjendjes gjyqësore;
- Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.
- * Kandidati duhet të propozojë një platformë për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, mbi realizimin e objektivave për mirëmbajtjen e fondit arkivor, mënyrën se si do të përdoret dhe promovohet ky fond.
- Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë mbi të cilat do të zhvillohet intervista
Kandidatët do të testohen në lidhje me:
- Ligji nr. 8096, datë 21.3.1996 “Për kinematografinë”, i ndryshuar;
- Ligji nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Ligji nr. 9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”;
- Ligji nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
- Ligji nr.10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”;
- Ligji nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to“.
