Edicioni i 61-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia
Venecia, 09 Maj – 22 Nëntor 2026
Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në cilësinë e komisionerit të Pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për Pavijonin Shqiptar në Bienalen e Artit, që do të jetë e hapur për publikun në periudhën 09 maj – 22 nëntor 2026 (para-hapje 6, 7 dhe 8 maj) në Giardini, Arsenale dhe vende të tjera në Venecia, me temë: “In Minor Keys”, nga kuratorja Koyo Kouoh.
Për më shumë informacion mbi tematikën, vizitoni faqen e Bienales së Venecias: https://www.labiennale.org/en/news/biennale-arte-2026-minor-keys
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hap thirrjen për projekt-ide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i Artit bashkëkohor dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve. Thirrja është e hapur për projekt propozim të përbashkët artist-kurator apo kolektiv, për realizimin e një ose me shumë veprave të reja artistike me qëllim të prezantimit sa më dinjitoz të Pavijonit zyrtar të Republikës së Shqipërisë.
PROFILI I KANDIDATËVE:
- Të jenë individë ose ekipe të përbëra nga artistë bashkëkohorë, studio arkitekturore, apo kolektive multidisiplinare që përfshijnë profesionistë si:
- Artistë vizualë / Arkitektë (si drejtues të grupit);
- Grafik dizajnerë;
- Kritikë arti;
- Artizanë;
- Sociologë urbanë;
- Planifikues urbanë;
- Ose profesionistë të tjerë relevantë me projektin artistik.
- Të dëshmojnë njohuri shumë të mira mbi artin shqiptar.
- Të kenë përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e artit, e cila të dëshmohet përmes portofoleve të punimeve.
- Të jenë shtetas shqiptar.
KANDIDATI DUHET TË JETË I AFTË:
- Të zhvillojë konceptin kuratorial origjinal:
Të kryejë një hulumtim të thelluar dhe të formulojë një koncept unik e të qartë, të shoqëruar me një rrëfim kuratorial koherent, që pasqyron identitetin kulturor shqiptar dhe është në dialog me temat bashkëkohore të artit.
- Të hartojë projektin artistik-kuratorial për Pavijonin Shqiptar:
Të ndërtojë një projekt të integruar që përfshin të gjithë përmbajtjen e ekspozitës, përfshirë:
Punime artistike (p.sh. pikturë, skulpturë, fotografi, instalacione, modele, materiale audio-vizuale);
Tekste interpretuese dhe informuese për panelet ekspozuese.
- Të zhvillojë programin kulturor shoqërues:
Të projektojë një program publik (evente, diskutime, performanca, bashkëpunime) që do të shoqërojë Pavijonin Shqiptar gjatë gjithë periudhës së Bienales, duke mundësuar angazhim me publikun ndërkombëtar dhe promovimin e artit/kulturës shqiptare.
- Të realizojë zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit:
- Kurimin dhe prodhimin e ekspozitës;
- Menaxhimin logjistik dhe teknik të projektit;
- Koordinim të vazhdueshëm me përfaqësues të autorizuar të MEKI-t dhe me stafin e Bienales së Venecias rreth organizimit dhe përmbushjes së kërkesave logjistike për realizimin e ekspozitës;
- Të kontribuojnë në përgatitjen e katalogut zyrtar të pavijonit të MEKI, deri në botim;
- Mbikëqyrjen e buxhetit dhe respektimin e afateve kohore.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me artistë / kuratorë vendas dhe/ose të huaj, që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme.
KRITERET PËR KURATORË:
- Të jenë shtetas shqiptarë ose të huaj;
- Të kenë njohuri për skenën e artit pamor në Shqipëri dhe zhvillimet bashkëkohore ndërkombëtare;
- Të kenë profil të njohur profesional dhe/ose ndërkombëtar;
- Të dëshmojnë se posedojnë shkathtësi në kurimin e ekspozitave të ndryshme bashkëkohore të artit;
DETYRAT PËR KURATORË:
- Të zhvillojnë konceptin kuratorial të Pavijonit Shqiptar, në koordinim me artisten/in.
- Të hartojnë planin e programit kulturor të Pavijonit së bashku me artisten/in, në koordinim me përfaqësues të MEKI;
- Të përcaktojnë qasjen kuratoriale ndaj mediumeve që do të përdoren;
- Të menaxhojnë bashkë me artisten/in katalogun zyrtar të Pavijonit të Shqipërisë deri në botim;
- Të bashkëpunojnë ngushtë me artistin dhe të koordinohet me ekipin e PR deri në prezantimin e ekspozitës dhe pas hapjes së pavijonit;
PROCEDURA E PËRZGJEDHJES:
Projekt-idetë dhe projektet e plota do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare me 5 anëtarë. Vlerësimi i Jurisë do të bazohet në kriteret e mëposhtme:
- Përputhshmëria me temën e Edicionit të 61-të të Bienales (30 pikë);
- Qartësinë dhe origjinalitetin e projekt-idesë (30 pikë);
- Aftësia e konceptit artistik/kuratorial dhe potencialin e të bërit të prekshëm, të dukshëm dhe të komunikueshëm te publiku (20 pikë);
- Fuqinë artistike dhe vizuale të projektit (idesë) dhe kapacitetin e tij për t’u “përkthyer” në një gjuhë dhe peizazh vizualisht të fortë (10 pikë);
- Kapacitetin dhe eksperiencën për të komunikuar projektin artistik tek audienca dhe kritikët si dhe për të zhvilluar audienca të reja (10 pikë);
DOSJA E KANDIDIMIT:
Dosja e kandidatit duhet të përmbajë:
- Formularin e kandidimit (shkarkojeni KËTU)
- Një sinopsis të artikuluar qartë mbi temën e dhënë (1000 fjalë) “In Minor Keys”
- Metodën e hulumtimit, gjetjet e parashikuara dhe si do të jetëzohen ato në pavijon.
- Imazhe që ilustrojnë vizionin për ekspoziten
- Portofoli i punimeve të realizuara nga ekipi dhe/ose anëtarët e tij.
- CV-të e pjesëtarëve të ekipit dhe drejtuesit të tij (deri në një faqe secili).
- Deklaratë e gjendjes gjyqësore/ dëshmi penaliteti
Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata ftohen të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratori i Edicionit të 61-të të Ekspozitës së Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, që i gjeni në faqen e Bienales së Venecias 2026, www.labiennale.org.
TË DHËNA TEKNIKE PËR PAVIJONIN SHQIPTAR:
Pavijoni shqiptar do të vendoset në katin e parë të Sale d’Armi A të Arsenale, hapësirë prej 105 m² . Planimetria, prerja dhe foto e pavijonit gjenden KËTU.
DORËZIMI I DOSJES:
Dosja duhet :
- Të përgatitet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht;
- Të dërgohet me postë (në formë të printuar dhe digjitale) në vëmendje të Sekretarisë Teknike të Bienales në adresën: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Rruga “Dëshmorët e Shkurtit”, Tiranë;
- Të dërgohet elektronikisht në adresën: [email protected];
- Të dërgohet brenda datës 14 shtator 2025.
