Diella
Platforma e-Albania ka bërë një hap të rëndësishëm drejt inovacionit. Tashmë është arritur implementimi i inteligjencës artificiale, një hap që do t’iu vijë në ndihmë të gjithë përdoruesve. ‘Diella’, asistentja virtuale ‘zadrimore’, e cila shfaqet edhe me veshje popullore. Ky opsion, sipas AKSH-it është gati nga sot për përdoruesit dhe do t’i asistojë ata gjatë ndërveprimet në e-Albania. Përdoruesit mund t’i drejtojnë pyetje asistentes virtuale, e cila përmes inteligjencës artificiale mbledh informacionet e nevojshme dhe ia vendos përdoruesve në dispozicion.
Ky opsion nuk është i detyrueshëm, pasi përdoruesit mund të ndërveprojnë në e-Albania edhe pa ndihmën e asistentit virtual. Kjo risi pritet të lehtësojë ndërveprimin e qytetarëve me platformën, duke ofruar asistencë të personalizuar dhe kryerjen e shërbimeve në mënyrë të shpejtë dhe efikase.
Asistentja virtuale 2.0, do t’u japë përgjigje me zë dhe figurë, me një gjuhë të thjeshtë dhe natyrale, për pyetjet që do adresohen në platformë. Diella e e-Albania, e krijuar nëpërmjet teknologjive inovative, Azure OpenAI dhe modelet më të reja të inteligjencës artificiale nga Microsoft, lehtëson dhe përshpejton marrjen e shërbimit në platformë.
Si funksionon?
Pas logimit në platformën e-Albania dhe shfaqjes së Asistentit Virtual, këtij të fundit mund t’i drejtoheni me një mesazh zanor për shërbimin elektronik që kërkoni të merrni. Asistenti përpunon kërkesën edhe kur qytetari ose biznesi nuk di saktësisht emërtimin e shërbimit, merr informacionin nga institucioni publik dhe jep përgjigjen në çdo moment, 24/7.
Asistenti Virtual 2.0 vjen një vit pas lançimit të asistentit të parë virtual 1.0, i cili regjistroi më tepër se 1 milion pyetje/përgjigje, të cilat ndihmuan gjithashtu në krijimin e asistentit të ri virtual në një variant të përmirësuar.
