KALAJA E BERATIT
Rrënojat e qytetit të fortifikuar iliro-arbëror të Beratit ndodhen përmbi një kodër 187m të lartë në të djathtë të grykës së lumit Osum. Ndonëse jeta në këtë kodër shkëmbore (9,6 hektarëshe dhe 161 m të lartë nga Aps-i (Osumi), nis që në eneolit, qyteti i fortifikuar i përket shek. IV p.e.sonë. Kodra ka formën e një trekëndëshi ose më saktë një majë shigjete të drejtuar nga veriu. Si pasojë, qarku i mureve e ripërsërit formën e kodrës, duke fituar trajtën e një trekëndëshi brinjë lakuar me sipërfaqe 9,6 ha. I tërë ky qark prej 1440 m, përforcohet nga njëzetë e katër kulla me forma dhe përmasa të ndryshme, të ndërtuara në kohë të ndryshme. Gjithsej ky monument ka katër porta komunikimi. Njëra prej tyre dhe pikërisht ajo e anës juglindore, paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj. Pasi kalon në të futesh në një oborr të fortifikuar, ku përpara të del një portë e dytë pikërisht në murin ballor të saj, në anën e djathtë të një harku, ndodhet një monogram me tulla të kuqe që i përket ndërtimeve bizantine të vitit 1204.
Kalaja e Beratit, në dokumenta të ndryshme historike të kohës përmendet me një sërë emrash. Me emrin e lashte Antipatrea përmendet në vitin 216 p.e.s.. Nga romakët u quajt edhe Albanorum oppidium (fortesa e Arberve). Muret e Antipatreas (Beratit) i përkasin gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë. Këto mure paraqesin një mozaik teknikash ndërtimi, duke filluar nga muret e periudhës ilire, bizantine, e principatave feudale shqiptare, osmane dhe ajo e pashallëqeve të mëdha, duke formuar kështu “një zinxhir të pakëputur të artit të fortifikimit”. Me fuqizimin dhe me zhvillimin e qytetit, fortifikimi filloi të zgjatohej më poshtë kodrës, duke u bashkuar me lumin me dy mëngë, me një siipërfaqe prej 3,4 ha. Me këtë shtrirje e tërë sipërfaqja e rrethuar (qyteti i poshtëm dhe qyteti i sipërm) arriti në 13,4 ha. Gërmimet arkeologjike të bëra në kalanë e Beratit (në vitet 1973-1975 dhe 1978) flasin për një vazhdimësi të pandërprerë të banimit që nga periudha paraqytetare deri në mesjetën e vonë dhe gjithashtu, vijon të banohet deri sot.
Kalaja e Beratit, si një nga monumentet më të bukur dhe më të rëndesishëm të historisë dhe kulturës shqiptare, mirëpret qindra e mijëra vizitor vendas e të huaj. Në brendësi të saj ka njëqind e dyzetë e tetë objekte monumente kulture, si banesa karakterisitke, objekte kulti por duke përfshirë edhe muret e kalasë.


