PARKU ARKEOLOGJIK FINIQ
Foinike ka luajtur një rol strategjik në pikëpamjen administrativo-politike në rajonin e Epirit, falë pozicionit gjeografik dhe zhvillimit ekonomik. Fillimisht si kryeqendër e Kaonëve dhe më pas si kryeqyteti i Koinonit Epirot (168 para Kr). Polibi është një ndër autorët e lashtë, që dëshmojnë për pasurinë dhe vlerat e mëdha të këtij qyteti në periudhën antike. Ai e cilësonte Foiniken si qytetin më të lulëzuar dhe me muret fortifikuese më të fuqishëm në të gjithë Epirin. Kjo vërtetohet fare mirë edhe nga zbulimet arkeologjike, të cilat kanë nxjerrë në pah sistemin fortifikues, organizimin urbanistik me sistem tarracimesh, ku inkuadrohet agoraja e qytetit, rezidencat private etj.
Në aspektin politiko-administrativ në periudhën romake roli i Foinikes dobësohet, por në qytet u realizuan një radhë veprash ndërtuese, të cilat përfshinin zgjerimin dhe shtrirjen e qytetit romak drejt këmbëve të kodrës, restaurimin e ndërtesave me karakter social si teatri, ndërtimi i një strukture publike në pjesën qëndrore të qytetit (ende e paqartë madhësia dhe shtrirja e përgjithshme), si dhe cisternat e ujit. Edhe gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës, jeta në Foinike vazhdon të jetë intensive.
Një ndër monumentet më të rëndësishëm të kësaj periudhe është dhe bazilika paleokristiane me tre nefe dhe një atrium në pjesën e përparme (shek. V-VI mbas Kr). Në këtë mozaik monumentesh shtohen dhe nekropolet e pasura të qytetit, që shtrihen në pjesën fushore poshtë kodrës në korrespondencë me rrugët hyrëse të qytetit.
Gërmimet arkeologjike të nisura prej Lugi Maria Ugolinit në vitet 1926-27, si dhe gërmimet e Dhimosten Budinës, Astrit Nanaj, Dhimitër Çondit në fillimet e viteve 1980 dhe 1990, të rinisura në vitin 2000 nga një projekt i përbashkët shqiptaro-italian (Instituti i Arkeologjisë dhe Univeriteti i Bolonjës) nën drejtimin e Prof. Shpresa Gjongecaj dhe Prof. Sandro De Maria, kanë nxjerrë në sipërfaqe një sërë monumentesh, ndër të cilët janë në gjendje të vizitueshme: Teatri, Banesa me dy Peristile, Muri Fortifikues, Stera A, Stoa dhe Bazilika Paleokristjane.
Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.
