MUZEU KOMBËTAR I PËRGJIMEVE "SHTËPIA ME GJETHE"
I hapur më 23 maj të vitit 2017, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” ka si funksion përkujtimin e dhunës psikologjike dhe kontrollin e qytetarëve nëpërmjet përgjimeve të kryera nga ish-Sigurimi i Shtetit gjatë regjimit komunist, që përbën një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë.
“Shtëpia me Gjethe” mban këtë emër për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulon fasadën e ndërtesës. Për shumë vite, kjo ndërtesë është mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe ka përbërë një mister
Ky muze i dedikohet personave të pafajshëm që kanë vuajtur dhe janë persekutuar përmes arrestimeve, internimeve, torturave apo ekzekutimeve gjatë viteve 1944 – 1991.
Muzeu synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e përkujtimit të vuajtjeve të shkaktuara nga regjimi komunist në Shqipëri duke iu drejtuar publikut vendas e të huaj si një mjet për të nxitur reflektimin dhe dialogun.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” është vlerësuar me çmimin: “Muzeu i Vitit 2020” nga Këshilli i Evropës.
