MUZEU HISTORIK KOMBËTAR
Muzeu Historik Kombëtar është institucioni më i madh dhe më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. I përuruar më 28 tetor 1981, ai u konceptua si një qendër kombëtare kujtese dhe studimi, duke ruajtur dhe prezantuar historinë e shqiptarëve nga lashtësia deri në kohët moderne. Ndërtesa e tij monumentale, e vendosur në sheshin qendror të Tiranës, përfaqëson një nga veprat më të spikatura të arkitekturës së viteve ’80.
Për konceptimin dhe përmbajtjen e muzeut punoi një grup i gjerë personalitetesh nga fusha e arkeologjisë, historisë, artit, muzeologjisë dhe restaurimit. Mes tyre spikasin emrat e Gani Strazimirit, Valentina Pistolit, Odhise Paskalit, Kristaq Ramës, Stefanaq Pollos, Kristo Frashërit, Selim Islamit, e shumë të tjerë, të cilët i dhanë formë një institucioni unik në dimensionet e tij.
Muzeu ka një sipërfaqe totale prej 27.000 m², me 18.000 m² hapësira ekspozimi, dhe një vëllim prej 81.000 m³. Në pavijonet e tij janë ekspozuar rreth 6.900 objekte, që mbulojnë një periudhë të gjatë historike, duke nisur nga mijëvjeçari IV para Krishtit e deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Krahas ekspozitave të përhershme, muzeu ka funksionuar edhe si qendër kërkimore dhe edukative, me arkiv, laboratorë, salla konferencash dhe ekspozita të përkohshme.
Pas dëmtimeve të shkaktuara nga koha dhe sidomos nga tërmeti i vitit 2019, Muzeu Historik Kombëtar po i nënshtrohet një procesi të plotë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi, në kuadër të programit #EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky projekt do të sigurojë jo vetëm ruajtjen e godinës dhe të koleksioneve, por edhe transformimin e muzeut në një hapësirë bashkëkohore, ku historia e Shqipërisë do të prezantohet me standarde moderne ndërkombëtare.
Harta Interaktive: Kliko këtu








