Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është themeluar si institucion shtetëror, publik dhe laik në fushën e kulturës më 10 korrik të vitit 1920. Qysh në themelimin e saj e deri më sot, Biblioteka Kombëtare funksionion si qendra e vetme arkivore për botimet shqip, duke mbledhur, ruajtur përpunuar dhe restauruar tërësinë e materialeve të botuara në arealin shqipfolës. Si institucion i shërbimit publik, BKSH-ja siguron qasje të barabartë për të gjithë përdoruesit në burimet e informacionit, të koleksioneve dhe shërbimeve bibliotekare, përgatit informacion bibliografik për librat dhe artikujt shqip që botohen në Republikën e Shqipërisë, si dhe përgatit digjitimin e materialeve të mediave dhe formateve të ndryshme, duke garantuar qasje digjitale në to.
Në fondin e Bibliotekës Kombëtare ruhen sot nëntë inkunabula, rreth një mijë e dyqind vepra dorëshkrime, kryesisht në gjuhët orientale me përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore dhe letrare, dorëshkrime fjalorësh, kodikë dhe korrenspondenca. Në këtë arkiv ruhen gjithashtu antikuarë, përfshirë veprat e para në gjuhën shqipe të Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit, Dhimitër Frangut dhe Jul Varibobës. Libri më i vjetër i këtij koleksioni është vepra e Papa Piut II “Epistolae de Conventu Mantvano”, botuar në Milano në vitin 1473. Koleksionet e veçanta përmbyllen me hartat që përbëjnë rreth shtatëdhjetë e tetë njësi bibliotekare dhe kanë një vlerë të madhe në studimet albanologjike dhe gjeo-politike për kohën që datojnë.
Rikonstruktimi i ish-godinës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, sot nën emrin “Qendra Sotir Kolea”, përfundoi në korrik të vitit 2023, duke shtuar kësisoj hapësirat e leximit si dhe teknologji të reja për restaurimin e librave dhe koleksioneve të rralla.
Si pjesë e Bibliotekës Kombëtare operojnë gjithashtu: Agjencia Kombëtare e ISBN-së, Shkolla Kombëtare e Bibliotekonomisë, Qendra e Restaurimit të Koleksioneve të Rralla si dhe Qendra “Sotir Kolea”.

