Qendra Kombëtare e Kinematografisê
Qendra Kombëtare e Kinematografisë, është një institucion qendror në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për bashkërendimin e punës, mbështetjen financiare, nxitjen e veprimtarisë kinematografike në Republikën e Shqipërisë dhe për përfaqësimin e kinematografisë shqiptare në botë, i cili është themeluar nëpërmjet Ligjit me Nr. 8096, të datës 21 Maj 1996, të emërtuar “Për Kinematografinë”, të amenduar, si dhe funksionon në bazë të kësaj të fundit, dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave me Nr. 602, të datës 21 Gusht 2003, të emërtuar “Për miratimin e statutit të Qendrës Kombëtare Kinematografike”, si dhe të tri rregulloreve, të cilat, gëzojnë statusin e akteve nënligjore me fuqi detyruese të përgjithshme, si dhe Konventave Evropiane të lidhura me kinematografinë dhe audiovizualin të ratifikuara në RSH.
Ajo u themelua, më 8 prill 1997, nga Këshilli i Ministrave. QKK është institucioni kombëtar që inkurajon, financon dhe promovon produksionin kinematografik në Shqipëri. Përmes administrimit të fondit publik, QKK mundëson zhvillimin e industrisë së filmit në vendin tonë.
Misioni i QKK-së është zhvillimi i qëndrueshëm i kinematografisë sonë. Kriteri kyç në proçedurën e përzgjedhjes së projekteve fituese mbeten vlerat artistike dhe ekonomike. Qysh prej krijimit të saj, ajo mbështet produksionin, distribuimin dhe promovimin e filmave me metrazh të gjatë, të shkurtër, dokumentar dhe të animuar. QKK përkrah kineastët shqiptarë veçanërisht për koproduksione ndërkombëtare.
Gjithashtu, ajo ofron mbështetje financiare për festivale filmi, organizon ditë të filmit shqiptar në vende të tjera, si dhe seminare e konferenca që kontribojnë në zhvillimin e industrisë së filmit në Shqipëri. QKK gjithashtu ndihmon edhe botimin e literaturës mbi artin filmik. QKK është përfaqësuese e Shqipërisë pranë strukturave ndërkombëtare kinematografike EFAD, Eurimages, SEE Cinema Network dhe European Film Promotion dhe organizon pavione të filmit shqiptar në tregjet e filmit në festivalet ndërkombëtarë të filmit në Kanë, Berlin, etj.
Disa nga filmat e realizuar me fondet e QKK kanë pasur sukses, dhe janë nderuar me çmime në festivale të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.

