Kërko

UNESCO

Lista e Trashëgimisë Botërore

Butrint

Anëtarësimi: 2005
Vendndodhja: Butrint, Sarandë

E banuar që në kohët parahistorike, Butrinti ka qenë vendbanim i një kolonie greke, qytet romak dhe qendër peshkopale. Pas një periudhe begatie nën administrimin bizantin dhe një pushtimi të shkurtër nga venedikasit, qyteti u braktis në Mesjetën e Vonë pasi në zonë u formuan kënete. 

Qendra Historike Berat

Anëtarësimi: 2005
Vendndodhja: Berat

Në Shqipërinë e Mesme, Berati dëshmon bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore ndër shekuj. Ai përmban një kala, që njihet si “Kalaja e Beratit”, pjesa më e madhe e së cilës u ndërtua në shekullin XIII, megjithëse origjina e saj daton që në shekullin IV p.e.s. 

Qendra Historike Gjirokastër

Anëtarësimi: 2005
Vendndodhja: Gjirokastër

Qëndra Historike e Gjirokastrës ndodhet pranë luginës së lumit Drino në jug të Shqipërisë dhe përmban një seri shtëpish dykatëshe, të ndërtuara në shekullin XVII. Qyteti ruan gjithashtu pazarin, një xhami nga shekulli XVIII dhe dy kisha të së njëjtës periudhë.

Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit

Anëtarësimi: 1979
Vendndodhja: Ohër

Një fenomen natyror i jashtëzakonshëm, Liqeni i Ohrit ofron strehë për një numër të madh speciesh endemike të faunës dhe florës ujore të ëmbël që datojnë që nga periudha Terciare. I vendosur në brigjet e liqenit, qyteti i Ohrit është një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në Europë.

TRASHËGIMIA KULTURORE JOMATERIALE

Lista Përfaqësuese e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit

Transhumanca

Praktika e lashtë e transhumancës, lëvizja sezonale e njerëzve dhe bagëtive të tyre përmes rajoneve gjeografike dhe klimatike për kullota, u regjistrua zyrtarisht në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s në dhjetor 2023, gjatë Sesionit të 18-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, të mbajtur në Botsvanë. Transhumanca është më shumë sesa një lëvizje sezonale e njerëzve dhe bagëtive: ajo përfaqëson shtyllën kurrizore të jetës rurale shqiptare, të ndërthurur ngushtë me ekonominë lokale, traditat dhe kulturën. Kjo dosje u realizua falë mbështetjes së Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Isopolifonia

Isopolifonia shqiptare është pjesë e muzikës tradicionale popullore dhe që nga viti 2005 bën pjesë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Ajo është e pranishme në katër krahina të Shqipërisë së Jugut: Labëri, Çamëri, Myzeqe dhe Toskëri. Labëria njihet veçanërisht për këngën polifonike, e cila këndohet me dy, tre ose katër zëra. Dyzërëshet zakonisht këndohen nga femrat, trezërëshet nga burra e gra, ndërsa specialiteti i Labërisë është kënga me katër zëra, forma më komplekse e isopolifonisë.

K'cimi i Tropojës

Kërcimi i Tropojës, traditë e lashtë e veriut të Shqipërisë, është përfshirë në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s në Dhjetor 2024. I njohur si “K’cimi”, ky kërcim pasqyron historinë dhe identitetin e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, duke u performuar në dasma, fejesa dhe festa lokale, i shoqëruar nga instrumente tradicionale si daullja, fyelli dhe çiftelia. Kjo valle e lashtë, e njohur për koreografinë unike, lëvizjet ekspresive dhe ritmin energjik, pasqyron shpirtin dhe historinë e pasur të zonës së Tropojës.
Kjo dosje u realizua falë mbështetjes së Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Lista e trashëgimisë kulturore jomateriale në nevojë për mbrojtje urgjente

Xhubleta

Xhubleta është një veshje tradicionale unike e grave shqiptare, veçanërisht e njohur në veri të Shqipërisë, e cila ka rrënjë të lashta në kulturën ilire dhe mesdhetare. Karakterizohet nga forma e saj e veçantë “zilie” dhe motivet simbolike që lidhen me diellin, hënën, shqiponjën dhe elemente të tjera natyrore, të cilat përdoren për mbrojtje dhe shprehje artistike. Në vitin 2022, UNESCO e regjistroi Xhubletën në Listën e Pasurive Kulturore Jomateriale që Kërkojnë Mbrojtje Urgjente, duke njohur rëndësinë e saj si një element të vyer të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Regjistri "Kujtesa e Botës"

CODEX PURPUREUS BERATINUS

Codex Purpureus Beratinus është një nga dokumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një pasuri e njohur ndërkombëtarisht. Ky kodik i shekullit të 6-të përmban Ungjillin sipas Mateut dhe Markut, të shkruar mbi pergamenë të kuqe me ink argjendi, duke e bërë një nga kodikët më të vjetër dhe më të rrallë të Dhiatës së Re. Ky dokument i jashtëzakonshëm është ruajtur në Berat që nga mesjeta dhe sot gjendet në Arkivin Kombëtar të Shqipërisë, pas një procesi restaurimi dhe konservimi. Në vitin 2005, UNESCO e regjistroi në Regjistrin e Kujtesës së Botës, duke e njohur si një pasuri të përbashkët të njerëzimit dhe një dëshmi të rëndësishme të kulturës dhe artit bizantin.

Arkivët e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit

Në prill 2025, Arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro, Kel dhe Mati Marubit u regjistrua në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës të UNESCO-s, duke e njohur si një pasuri të përbashkët të njerëzimit dhe një dëshmi të çmuar të historisë vizuale të Shqipërisë. Ky fond përmban mbi 500,000 negativë, objekte dhe dokumente, të cilat dokumentojnë jetën sociale, kulturore dhe historike të vendit nga shekulli XIX deri në fund të shekullit XX. Koleksioni ruhet dhe ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë "Marubi" në Shkodër, i vetmi institucion kombëtar i fotografisë në Shqipëri.