“Ktë punë nëse e don, e ban, në të kundër nuk munesh me e ba”. Kështu thotë ajo teksa të prezanton një për një me kukullat e ekspozuara në muret e godinës, që në krye të herës është ndërtuar si “skenë” politike. I njeh me emra, vite dhe të gjithë autorët e tyre. Të parin na prezanton Kacamisrin. “Çdo shtet ka personazhin e vet dhe ne kemi Kacamisrin”, thotë ajo, duke të të futur në një botë imagjinate, ku kafshë e sende flasin.
Ariu, Çufoja, Tipi, Pinoku, ujku, dhelpra, lejleku…. Personazhet e përrallave, ata pak që kanë mbetur, janë aty si dëshmitarë se edhe ne dikur kemi qenë fëmijë.
Kur erdhi për së pari në Teatrin e Kukullave, e pati të vështirë të gjente veten. Nisi të merrej me arkivin, të sistemonte kukullat, të merrej me skenografi, të ndërtonte tavanin e skenës, të vinte pak rregull në atë institucion me shumë pasuri, por të lënë pas dore, deri sa nisi të krijonte edhe vetë personazhe për të vegjlit. Merita Spahija ka punuar 18 vjet në Teatrin e Kukullave, ka bërë gjithfarë punësh në atë institucion, duke i kushtuar orë pa fund e duke mësuar t’i dojë këto personazhe. “Shih sa i mirë që është, si rrapatush”, thotë, teksa na tregon një derrkuc rozë, të lehtë pupël.



