Unë isha punonjës shkencor dhe kisha mundësinë për të studiuar, për të eksperimentuar, për të punuar. Kam punuar çdo ditë nga ora 07:00 e mëngjesit, deri në 10:00 të darkës. Çdo ditë në laborator, duke punuar, duke përkthyer materiale, nuk kam bërë asnjë ditë pushim, veç ditës së Vitit të Ri. Pra ka qenë një përkushtim dhe ngarkesë shumë e madhe për mua, për të arritur të aftësohesha në të gjitha fushat. Dhe duhet të them me jo pak kënaqësi që në laborator kemi arritur të realizojmë punë, në të njëjtin nivel si në laboratorët e Evropës. Ne kemi kryer ndërhyrje me një nivel garancie deri në 95%, madje edhe në ato raste kur paraqiteshin problematika nga kripa, si në Durrës apo Finiq. Në një ndërhyrje të dytë kemi arritur në 99%. Pavarësisht se kushtet ku ruhen objektet nuk janë edhe aq të favorshme për shkak të mungesës së kondicionimit, ato nuk paraqesin asnjë lloj problemi. Është bërë një punë shkencore, falë edhe cilësisë së aparaturave që ishin të krahasueshme me ato të vendeve të tjera.
Sa objekte mund të keni restauruar?
Mund të kem restauruar rreth 20 mijë objekte, duke përfshirë edhe monedhat.
A ka ndonjë objekt, që ju bën veçanërisht krenar që e keni restauruar?
Objekti më i vështirë për t’u restauruar në të gjithë Shqipërinë, është mburoja e zbuluar në Apoloni, e cila ishte e ndarë në 8123 copa. Nuk kuptohej asgjë, askush nuk mund të më thoshte se si kishte qenë, deri sa përmes studimeve, konsultimeve, vizitave të shumta që kam bërë, arrita që në 20 vjet, me një kosto prej 100 milionë lekësh të vjetra, ta restauroja. Kënaqësia më e madhe nuk ishte vetëm restaurimi dhe ekspozimi i kësaj mburoje, por kur disa vjet më parë isha për një vizitë në Selanik, në Laboratorin e Muzeut, u tregova për mburojën dhe pasi e panë më thanë që “ne mendonim se kishte vetëm dy në botë, një në Luvër dhe një te ne, por kjo qenka e treta në botë”. Ishin 20 vite zgjidhje problemi. Kam eksperimentuar 760 rrugë se si do të realizohej. Çdo gabim mund të ishte fatal.
Shumë zhurmë ka bërë edhe një tjetër objekt që keni restauruar ju, shpata e Sulltan Bajazitit…
Shpatën e Sulltan Bajazitit II, ishte Frederik De Yong që e lexoi dhe identifikoi. Ne nuk e dinim se çfarë kishim. Unë e kam restauruar, por nuk paraqiste ndonjë problematikë të madhe. Veç mburojës së Apolonisë, përgjegjësia më e madhe ishte te Epitafi i Gllavenicës, një objekt që është vlerësuar shumë, edhe gjatë ekspozimit në Paris, si një ndër tre objektet e rralla të këtij lloji dhe të kësaj epoke.
Ju keni drejtuar për shumë vite Laboratorin e Arkeometrisë dhe Konservimit, pse u mbyll?
Laboratori ngrihej në një objekt privat dhe të zotët, në rrugë ligjore e kanë marrë atë. Por tani është koha që ne të ndërtojmë një laborator qendror restaurimi, për të gjithë sektorët, arkeologji, etnografi, analiza, etj.
Nga se “vuan” restaurimi në Shqipëri?
Restaurimi duhet të lidhet më shumë me shkencën. Duhet të jemi të qartë që ruajtja e objekteve të trashëgimisë kulturore është shkencë kimie dhe fizike. Janë këto primare dhe kanë në dorë fatin e objekteve. Nëse do të marrim shembullin e ndriçimit të muzeumeve, me to nuk duhet të merret elektricisti, por inxhinierë specialistë, që merren vetëm me këtë lëm. Të ndriçosh një muzeum duhet ta vlerësosh atë maksimalisht. Ka llamba të ndryshme, të cilat emetojnë gjatësi valësh të ndryshme. Ato mund të ndryshojnë ngjyrën e objektit dhe
nuk kap ngjyrën origjinale, mund të zbardhin ngjyrat e tekstileve. Gjithçka zhvillohet në nivelet e fizikës dhe kimisë.
Korrik 2019