Përkundër gjithë veprave të artit të ekspozuara nëpër galeri e muzeume, veprat e tij janë më të njohurat dhe më të prekshmet. Me shumë gjasë, ata që ia njohin autorësinë janë shumë të paktë, por kjo është ajo çka e shqetëson më pak Petraq Papën, i cili ka realizuar imazhe monedhash, kartëmonedhash e pullash poste. U bënë 10 vjet tashmë që merr pjesë rregullisht në çdo shpallje të Postës Shqiptare e Bankës së Shqipërisë. Nëse i kishte shkuar ndonjëherë në mendje se do të dizenjonte kartëmonedha, sigurisht që jo. Por një konkurs tërhoqi tjetrin.
“Dikur koleksionoja pulla poste. Isha i apasionuar. Prej tyre mësova gjeografinë, historinë. Kisha kuriozitet të mësoja mbi shtete të ndryshme. Por edhe ishin shumë të bukura. Më pas hoqa dorë, nuk më ngjallnin më interes. Ndërkaq studiova për grafikë, u diplomova në Akademinë e Arteve dhe vijova punën time, fokusuar te grafika, por jam marrë edhe me pikturë e qeramikë. Dikush më tregoi për konkursin e hapur nga Posta Shqiptare dhe unë mora pjesë, fitova dhe kështu nisi ky rrugëtim. Ishte si një rikthim te pasioni i dikurshëm, por në një tjetër formë”, tregon Petraq Papa, që sot është zv. Dekan në Fakultetin e Arteve Pamore.



