Kur hyn në hollin e ndërtesës, aroma e pagabueshme e letrës të drejton drejt sallave të mbushura me libra.
Në bibliotekën e vjetër të Tiranës, ashtu si njihet nga vendalinjtë, duket sikut futesh në një tjetër botë. Mure të veshura me libra të bukur, shumë të bukur. Kopertinat dëshmojnë se shumë syresh e kanë mbushur shekullin. Janë në gjuhën frënge, angleze, gjermane, italiane.. Kultura europiane është aty. Drejtori i ri Bibliotekës, Piro Misha ka angazhuar të gjithë stafin për organizimin e librave dhe krijimin sallave të reja të leximit, sipas gjuhëve, dhe punonjësit hyjnë e dalin me maska e doreza të bardha e dëngje librash në duar.
Pikërisht aty ndodhet edhe këndi i restaurimit. Do të ishte e tepërt ta quanim “laborator”, megjithatë kushtet e limituara nuk e pengojnë Gentiana Bërxollin të punojë plot pasion për restaurimin e librave, një zanat i rrallë, të cilin pak po e përqafojnë. Qasja e saj me këtë profesion është shtyrë më së shumti nga dashuria për librin, por edhe studimet e kryera.



