Kërko

Syri Tufina: Si mbijetoi dinastia e sahatçinjve të Tiranës

Në sirtarin e parë të komosë, atje ku shumica e shqiptarëve mbanin sendet me vlerë, prindërit e mi ruanin ndër të tjera edhe një kuti të vogël. E lindur në epokën e sapunit “Lux”, ajo kuti ishte si një magji më vete. Mes 100 yçklash, dora më shkonte pikërisht atje. Në astarin e brendshëm prej atllasi lexonte: “Vllaznit Tufina”. Ç’të ishin “Tufinat”?!

Do të duhej të kalonin shumë vjet që atëherë, që të takoja një nga pinjollët e familjes Tufina.

Syri Tufina i përket brezit të katërt të sahatçinjve të Tiranës, orëndreqësve dhe tregtarëve më me famë në Shqipëri përpara çlirimit.

Syri Tufinën e gjejmë në dyqanin e tij në Rrugën “Hoxha Tahsin”, ku hyjnë e dalin klientë. Disa sjellin, disa marrin ora. Ai vendos në sy monoklin dhe përpiqet të gjejë defektin. “Bateria e kësaj ore ka edhe 2 vjet jetë. E ke vënë përpara një viti”, i thotë ai klientit, ndërsa unë shfrytëzoj rastin për të parë nëpër vitrina, jo vetëm orat e reja, por për të “ngecur” pas tik-takeve të orave të vjetra, atyre me qostek, orave të tavolinës, të murit… dhe veglave të trashëguara brez pas brezi, që sot, me zhvillimin e teknologjisë, kanë mbetur si relikte të çmuara.

“Familja ime ka nisur të merret me këtë zanat që nga viti 1868  nga stërgjyshi, për të vazhduar brez pas brezi. Fillimisht stërgjyshërit janë marrë me zejtari, riparim armësh gjuetie dhe ndërkohë nisën të merren edhe me sahatet, në mënyrë autodidakte dhe e perfeksionuan. Me armët vijoi të merrej vetëm xhaxhai i tim eti. Vazhduam ta mbanim gjallë këtë zanat dhe në sojin tonë janë të rrallë meshkujt, që kanë kaluar në profesion tjetër, madje edhe një mbesë e jona u mor me ndreqje sahatesh”, tregon Syri Tufina, ndërsa në mur dëgjohet ding-dongu i orës fikse.

Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, Tufinat nisën të merreshin dhe me tregti. Kishin lidhje me Italinë dhe Zvicrën. Dy vëllezërit Shabani dhe Haxhiu e çuan më tej punën e të atit dhe ua trashëguan edhe të bijve.

“Kam punuar për disa vjet në Uzinën Dinamo, në laboratorin e mjeteve matëse, të precizionit të lartë. Më vonë kam qenë kryekontrollor për gjithë Uzinën Mekanike të Tiranës, që kontrolloja instrumentat që kishin etalon për matje”, tregon ai. Ndërsa i vëllai do të realizonte të parën orën “Made in Albania”, me “forcat tona”. “Vëllai im ka prodhuar orën e parë shqiptare. Ora tavoline dhe ora muri. Vëllai im i madh ka punuar në Ndërmarrjen e Konsumit të Gjerë. Në fillim nisi Kooperativa “17 nëntori” të prodhonte pjesë, por mungonin kushtet për të realizuar një gjë të tillë dhe më pas u realizua në Ndërmarrjen e Konsumit të Gjerë”.

Por pavarësisht se puna private ndalohej, ata vazhdonin ta ushtronin, fshehurazi, siç tregon mjeshtri, me dritare të bllokuara me batanije. “Spiunët i kishim gjithandej. Madje kanë shkuar dhe kanë raportuar edhe te Mehmet Shehu, i cili u ka thënë: pasuritë ua morëm, dyqanet ua mbyllëm, tani nuk mund t’u presim edhe duart. Duan të ushqehen dhe ata”, kujton Syriu. E me sa duket edhe Mehmet Shehu e kishte një arsye më tepër, pasi orat dhe syzet e udhëheqjes, për t’u rregulluar, kalonin sërish nga Tufinat.

Me ndërrimin e sistemeve, Tufinat ngritën sërish qepenët. Nuk ishin më ata të parët, lidhjet e vjetra kishin humbur gjatë viteve të diktaturës, por ata u përpoqën të rimëkëmben.

Zanatin ia trashëgoi të birit, i cili me sa duket do ta kalojë po ashtu stafetën në familje. “Bari do shkoj n’rronj”, i thomi ne n’Tiron.

Tironsit vazhdojnë ende t’i çojnë orat për t’i regulluar te ata, edhe pse tanimë ata nuk e kanë më ekskluzivitetin. Por Tufinat janë një markë, i rezistuan regjimeve, mësuan nxënës gjithandej. Dhe sekreti nuk ishte thjesht pasioni për punën, durimi, precizioni, përqendrimi. “Kena punu me nershmëni”, thotë Syri Tufina, teksa pret klientin e radhës.

Sigurisht, nuk mungonin vështirësitë, por ai flet me nostalgji për vitet kur njerëzit e donin kinemanë, ndërsa tani kanë mbetur shumë pak syresh. “Njerëzit prisnin radhë, prisnin biletë, mbanin rregull, po kishte raste edhe që thyheshin dyert, si te “Zonja e panjohur” apo “Fatma”, “Aventurat e Uliksit” me Bekim Fehmiun, “Korrupsion në Pallatin e Drejtësisë”, etj. Kur kishte filma të mirë, interesi ishte shumë i madh, edhe pse filmat ishin të prerë”.

Ishin vite censure dhe shpesh herë filmat priteshin ose bllokoheshin. Vinte urdhri “nga lart”, siç thotë Dhori dhe të gjitha ato pjesë që binin ndesh me “vijën e Partisë”, zhdukeshin.

“Kemi pasur bllokime. Dy ditë pasi doli filmi “Një jetë”, na thanë ta ndërprisnim shfaqjen e tij. Në vend të tij më dhanë një film kinez, “Pishat e blerta”. Na ndodhte që “të mëdhenjtë” të jepnin urdhër për bllokim dhe filmi hiqej nga qarkullimi. Vinte urdhri për prerje, por unë ua kërkoja me shkrim, me numra, sepse çdo dialog kishte një numër. Ndodhte që ose i ndërrohej titulli filmit, ose pritej momenti ku kishte ndonjë skenë dashurie”.

Asgjë nuk shfaqej pa u kontrolluar më parë nga organet e censurës, madje vetë udhëheqja i shihte e para. Të gjithë kineastët shqiptarë tregojnë ankthin e pritjes dhe kërkonin të shquanin fytyrën e kinomekanikut, që kishte shfaqur filmin në Bllok. Aty “lexohej” e ardhmja e filmave të tyre.

“Udhëheqja i shihte të gjithë filmat. Unë kam shkuar vetëm dy herë atje, një herë në Bllok dhe një herë në Komitetin Qendror. Një herë për shfaqjen e filmit për Hysni Kapon ‘Besniku i Partisë’. Vetëm 10 minuta film pa Enver Hoxha. Isha 27 vjeç. ‘Mirë mo, mirë’, tha Enver Hoxha dhe filmi kaloi”.

Gjatë viteve ’78-85 punoi në Kinemanë e Laprakës, ku i kanë kërkuar të punojë sërish, kur ajo të merret në dorëzim pas rikonstruksionit. Në vitin ‘86 u bë përgjegjës në Kinema “Partizanin”, por në vitin 1989 kur aty pritej të mbahej një mbledhja ballkanike, kinemaja u dogj. Brenda natës ajo u zhduk dhe pasojat do të binin edhe mbi Theodhor Ziun. Edhe pse ai nuk u shpall asnjëherë fajtor, do të dënohej me 6 muaj heqje lirie, gjatë së cilës do të riparonte televizorët e burgjeve.

Emri i tij nuk figuron në listat e të dënuarve e si rrjedhojë as do të shpërblehej për muajt e heqjes së lirisë. Por pavarësisht se ka kaluar shumë në jetë, ai e vlerëson periudhën kur spektatori priste në radhë për të parë një film. Është një zanat i vështirë, por ai thotë se ka dashur t’ia trashëgojë të tre djemve të tij. “Duhet që në radhë të parë të njohësh filmin”, thotë ai.

Po ashtu siç ai u transmetoi zanatin, ata i mësuan teknologjinë dhe sot, kinomekaniku që bariste me biçikletë nga njëra kinema në tjetrën, për të çuar bobinat e filmit, sot punon me teknologjitë më të fundit digjitale.

Nëntor 2019