Isuf Skënderi, mjeshtri i ruajtjes së traditës shekullore të gdhendjes së pipave
Ali Pashë Tepena, të cilit nuk i mungonte asgjë në oborrin e vet, do ta kishte pasur zili një pipë të gdhendur nga duart e mjeshtrit Isuf Skënderi. Në murin e ballkonit, nën pjergullën e rrushit, ku më së shumti i pëlqen të punojë i qetë, ka fiksuar pikërisht një pipë një metër e 5 centimetra..
Isuf Skënderi i takon brezit të tretë të mjeshtërve të gdhendjes së pipave e llullave, e ndoshta i vetmi në Shqipëri, që punon me të njëjtat mjete, ashtu si edhe babai e gjyshi i tij, që dikur kishin një dyqan mjaft të njohur në Pazarin e vjetër të Tiranës.
“Me prishjen e pazarit dhe zhdukjen e punës private, të gjithë zanatçinjtë i mblodhën te Ndërmarrja Artistike “Migjeni”. Unë kam pasur profesion tjetër. Për 23 vjet kam dhënë teknologji prodhimi këpuce në shkollën profesionale, e vetmja në Shqipëri, Shkolla e Ekonomisë Komunale. Me ndërrimin e sistemeve dhe lejimin e punës private, nisa të merrem me zanatin e të parëve të mi, sidomos pas vitit 2002, kur me reformat e kohës u shkatërrua arsimi profesional. U largova dhe iu përkushtova këtij profesioni”, tregon Isufi për “Sekrete mjeshtërie”.
Është i kënaqur që profesionin ia ka trashëguar edhe fëmijëve dhe mes një albumi fotografish shkëput njërën, ku kanë dalë gjyshi me nipin 6-vjeçar, teksa i mëson si përdoret trapani. Ndërsa në një tjetër është e bija, që po ashtu ka mësuar zanatin. Vëçse ai i ka lënë të lirë të zgjedhin rrugën e tyre.





