QENDRA KOMBËTARE E KULTURËS PËR FËMIJË
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë po hyn në një etapë të re zhvillimi përmes një projekti madhor që synon ta kthejë atë në një institucion modern, gjithëpërfshirës dhe funksional për brezat e rinj.
E vendosur në hyrje të Parkut të Madh të Tiranës, godina e re do të ofrojë hapësira më të mëdha dhe të përshtatura, por mbi të gjitha një koncept të ri: një qendër fleksibël, mikpritëse dhe të hapur ndaj performancës, prodhimit artistik, dhe edukimit kulturor me fokus te fëmijët dhe zhvillimi i tyre krijues.
Projekti është konceptuar si një kub gjeometrik me përmasa 30x30x30 metra. Skena e teatrit do të vendoset në katet e poshtme, Qendra e Kulturës në katet e sipërme, ndërsa hapësirat e përbashkëta do të shtrihen ndërmjet tyre. Godina shfrytëzon pjerrësinë natyrore të terrenit të parkut, duke krijuar edhe një skenë të jashtme që e bën të mundur përdorimin e saj nga dy anë në trajtën e një amfiteatri natyror.
Salla e re e teatrit do të përmbushë standardet ndërkombëtare. Përveç saj, projekti përfshin edhe një sallë të dytë që mund të përdoret si për shfaqje të tjera dhe të pavarura, ashtu edhe për prova apo për prodhimin e skenave të mëdha teatrore.
Përveç sallave të performancës, godina do të ofrojë një sërë hapësirash më të vogla për edukim, ekspozita, punëtori, prodhim artistik dhe administrim. Kjo i jep ndërtesës funksion gjatë gjithë ditës, duke e bërë atë të aksesueshme jo vetëm për shfaqje, por edhe për shkolla, organizata dhe aktivitete të tjera komunitare.
Hapësirat e brendshme do të përfshijnë klasa për aktrim, kërcim, muzikë, pikturë, skulpturë, punishte për skenografi, kostumografi dhe krijimin e kukullave, laborator inovativ për multimedia, si edhe ambiente ndihmëse teknike dhe administrative.
Ky transformim e kthen Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në një hapësirë të plotë social-kulturore, të dedikuar jo vetëm për performancën, por për gjithë procesin krijues dhe edukativ të fëmijëve.








