Trashëgimia kulturore jomateriale është pasuria shpirtërore që shfaqet përmes traditave, këngëve, valleve, legjendave, ritualeve, festave, dijes mbi natyrën dhe mjeshtërive tradicionale. Ajo nuk është një objekt i prekshëm, por një trashëgimi e gjallë që përcillet brez pas brezi, duke u rikrijuar e përshtatur me kohën. Ky lloj trashëgimie ruan kujtesën, gjuhën dhe zakonet tona, duke forcuar identitetin kulturor dhe lidhjen mes komuniteteve.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të mbështetur artizanët dhe zejtarët, duke synuar forcimin dhe zhvillimin e veprimtarive që kontribuojnë në promovimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Një nga masat kryesore është hapja e Thirrjes për Grante: Fondi i Artizanëve 2025, i cili ofron mundësinë e mbështetjes financiare për artizanët dhe zejtarët. Ky fond synon forcimin dhe zhvillimin e veprimtarive që kontribuojnë në promovimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Thirrja mbështet projekt-propozime në fushën e artizanatit dhe zejtarisë, me synim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale.
