Kërko

Administrimi i të Drejtës së Autorit

Kalimi i të drejtës së autorit

Kalimi i të drejtave të autorit është një procedurë e rëndësishme për çdo krijues, botues, producent apo institucion kulturor. Ai garanton që përdorimi i një vepre të bëhet mbi baza të qarta ligjore dhe me mbrojtje të plotë të interesave të autorit.

Çfarë të drejtash mund të kalohen?

  • Autorët kanë dy lloje të drejtash: personale (lidhen me emrin, integritetin dhe identitetin e veprës) dhe pasurore (të drejta që lidhen me shfrytëzimin ekonomik të veprës).
  • Vetëm të drejtat pasurore mund të kalohen te një palë tjetër përmes kontratës, ndërsa të drejtat personale mbeten gjithmonë të lidhura me autorin.

Si bëhet kalimi i të drejtave?

  • Kalimi bëhet vetëm me kontratë të shkruar, ku përcaktohen qartë:
    • Vepra përkatëse që mbulohet;
    • Të drejtat që i kalohen palës tjetër;
    • Afati kohor dhe territori ku vlejnë këto të drejta;
    • Shpërblimi dhe mënyra e pagesës;
    • Të drejtat dhe detyrimet e secilës palë.
  • Kontrata mund të jetë ekskluzive (vetëm një person ka të drejtë ta përdorë veprën) ose joekskluzive (autori mund t’ia japë të drejtën edhe të tjerëve).

Afati dhe territori

  • Nëse kontrata nuk përcakton territorin, e drejta e përdorimit kufizohet vetëm në Shqipëri.
  • Nëse nuk përcaktohet afati:
    • Përdorimi i veprës origjinale zgjat 3 vjet;
    • Përdorimi i versioneve të përshtatura, ndryshuara ose përkthyera zgjat 5 vjet.

Regjistrimi dhe vlefshmëria

  • Disa kontrata të veçanta, si ato për botimin e librave apo për shfaqjet teatrore dhe muzikore, për të hyrë në fuqi duhet të regjistrohen dhe certifikohen pranë Drejtorisë së të Drejtës së Autorit.
  • Ky regjistrim siguron transparencë, mbrojtje ligjore dhe shmangje të mosmarrëveshjeve.

Detyrimi i mbajtësit të së drejtës

  • Pala që merr të drejtat duhet t’i përdorë ato vetëm sipas kontratës dhe të paguajë shpërblimin e përcaktuar.
  • Nëse këto kushte nuk respektohen, kontrata mund të humbasë vlefshmërinë dhe autori ka të drejtë të kërkojë mbrojtje ligjore.

Mënyra e aplikimit

Aplikoni online në e-albania:

Administrimi Kolektiv i të Drejtave të Autorit

  • Të drejtat e autorit mund të menaxhohen nga vetë autorët ose në mënyrë kolektive përmes Agjencive të Administrimit Kolektiv (AAK).Agjencitë licencohen nga Ministria përgjegjëse për kulturën dhe kanë si qëllim:

    • mbledhjen e të ardhurave nga përdorimi i veprave,
    • shpërndarjen e këtyre të ardhurave tek autorët, artistët dhe producentët.

Agjencitë kryesore në Shqipëri

  • AKDIE – përfaqëson dhe shpërndan të drejtat e artistëve interpretues/ekzekutues. 
  • Faber Collective Phonogram – administron të drejtat e producentëve të fonogrameve (muzikë/film).
  • ALBAUTOR – përfaqëson autorët, kompozitorët dhe botuesit shqiptarë; anëtare e CISAC, pjesë e sistemit botëror të administrimit të të drejtave. 

Sporteli Unik

Që nga viti 2017, funksionon Sporteli Unik i Mbledhjes së të Ardhurave – një mekanizëm që siguron mbledhjen transparente të tarifave për të gjitha agjencitë e licencuara. 

Mbikëqyrja

Veprimtaria e agjencive dhe Sportelit Unik kontrollohet çdo vit nga Drejtoria për të Drejtat e Autorit, për të garantuar transparencë, shpërndarje të drejtë dhe përputhshmëri me ligjin.