Kërko

Udhëzues mbi të drejtat dhe detyrimet e pushuesve në stacionet e plazhit

PUSHUES I INFORMUAR, PUSHIME MË TË SIGURTA: TË DREJTAT DHE DETYRIMET TUAJA NË PLAZH

Sezoni veror është periudha kur mijëra qytetarë dhe vizitorë zgjedhin të kalojnë pushimet pranë bregdetit shqiptar. Për të garantuar një eksperiencë të sigurt dhe cilësore, është e rëndësishme që çdo pushues të njohë jo vetëm të drejtat e tij, por edhe detyrimet që ka gjatë qëndrimit në plazh.

Çfarë të drejtash ka një pushues?

Pushuesit, si konsumatorë të shërbimeve të ofruara në stacionet e plazhit, kanë të drejtë:

  • të kenë akses të lirë dhe të pakufizuar në plazh. Askush nuk mund të pengojë apo kufizojë hyrjen e publikut në plazh;
  • të informohen qartë për çmimet e produkteve dhe shërbimeve të ofruara, të cilat duhet të afishohen në vende të dukshme, në gjuhën shqipe dhe angleze;
  • të njihen me emrin e subjektit që administron stacionin e plazhit dhe me procedurat e ankimit;
  • të përfitojnë shërbime në kushte sigurie dhe higjiene, duke përfshirë dushe, tualete, kabina zhveshjeje dhe ndihmë të parë;
  • të përdorin një plazh ku sigurohet shërbimi i vrojtuesit të plazhit gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të aktivitetit;
  • të informohen për kushtet e detit nëpërmjet sistemit të flamujve dhe sinjalistikës së sigurisë;
  • të informohen në mënyrë të qartë në rastet kur plazhi publik nuk disponon shërbimin e vrojtuesit të plazhit. Në këto raste, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë detyrimin të vendosin tabela informuese të dukshme, në gjuhën shqipe dhe angleze, me mbishkrimin: “KUJDES! – KY PLAZH NUK KA VROJTUES PLAZHI” / “ATTENTION! – THIS BEACH HAS NO LIFEGUARD”;
  • të informohen në mënyrë të qartë për rrezikshmërinë e notimit në plazhet e paautorizuara. Në këto raste, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë përgjegjësinë të vendosin postera për siguri dhe higjienë, të cilët duhet të tregojnë mbishkrimin: “PLAZH I PASIGURT PËR NOTIM” në gjuhën shqipe dhe angleze, me shkronja të kuqe.

Si duhet të sillet një pushues në plazh?

Siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët. Çdo pushues duhet:

  • të notojë vetëm në zonat e autorizuara dhe të sinjalizuara;
  • të respektojë sinjalistikën dhe udhëzimet e vrojtuesit të plazhit;
  • të respektojë sistemin e flamujve:
    • flamuri i gjelbër – lejohet notimi;
    • flamuri i verdhë – notim me masa mbrojtëse;
    • flamuri i kuq – ndalohet notimi;
  • të mos notojë nën ndikimin e alkoolit apo drogave;
  • të mbikëqyrë vazhdimisht fëmijët e mitur gjatë qëndrimit në plazh;
  • të mos hyjë me mjete lundruese në zonat e dedikuara për notim;
  • të ruajë pastërtinë e plazhit dhe të përdorë koshat e mbeturinave.

Ku mund të drejtohet pushuesi në rast shkeljesh?

Nëse një pushues konstaton:

  • mungesë të vrojtuesit të plazhit;
  • mungesë të kushteve minimale të sigurisë ose higjienës;
  • mosafishim të çmimeve;
  • pengim të aksesit në plazh;
  • zënie të hapësirave të plazhit përtej kufijve të miratuar, vendosje të paautorizuar të çadrave apo pengim të aksesit të lirë në plazh;
  • sjellje të papërshtatshme apo shkelje të standardeve të shërbimit.

Ai mund të paraqesë ankesë pranë:

  • subjektit që administron stacionin e plazhit;
  • njësisë së vetëqeverisjes vendore (bashkisë përkatëse); • Agjencisë Kombëtare të Bregdetit – [email protected];
  • Policisë së Shtetit, në rastet kur rrezikohet siguria publike ose jeta e pushuesve;
  • numrit unik të emergjencës 112, në rast emergjencash shëndetësore ose rreziku për jetën.

Një pushues i informuar kontribuon në rritjen e sigurisë, cilësisë së shërbimeve dhe mbrojtjen e mjedisit, duke ndihmuar në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.