Kërko

Parku Arkeologjik i Apolonisë

Parku Arkeologjik i Apolonisë është një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike në Shqipëri, si dhe një nga parqet arkeologjike më të mëdhenj të vendit, me një shtrirje prej rreth 750 hektarësh. I themeluar në shekullin e VII para Krishtit nga kolonistë grekë, qyteti antik i Apolonisë u zhvillua shpejt në një qendër të fuqishme ekonomike, politike dhe kulturore të Ilirisë së jugut, duke ruajtur gjatë shekujve gjurmë të qytetërimeve të mëdha të Mesdheut.

Brenda mureve të tij fortifikuese dhe në hapësirat ekstraurbane, Apolonia ruan një potencial arkeologjik të jashtëzakonshëm, me monumente të karakterit social, politik, religjioz dhe kulturor. Tempulli i Apolonit, Odeoni, portiku monumental, bulevardi qendror, teatri dhe ndërtesat publike e private janë dëshmi të qarta të shkëlqimit që ky qytet ka pasur në lashtësi. Në hapësirat jashtë mureve fortifikuese shtrihen nekropole monumentale dhe struktura të kultit që flasin për besimet dhe ritualet e kohës.

Një ndër asetet më të veçanta të parkut është Muzeu Arkeologjik i Apolonisë, i cili është i integruar brenda ambienteve të Manastirit bizantin të Shën Mërisë, një kompleks i arkitekturës mesjetare me kupola e mure prej guri që vetë përbën një vlerë të veçantë historike. Muzeu ruan një inventar të pasur me objekte unike: që nga skulptura të punuara me mjeshtëri të lartë artistike, elementë dekorativë dhe arkitektonikë, deri te objekte të përdorimit të përditshëm të periudhës antike. Koleksioni përfshin gjetje që i përkasin periudhës prekoloniale (shek. XII para Krishtit) e deri te periudha romake e hershme (shek. III–IV mbas Krishtit), duke ofruar një panoramë të plotë mbi zhvillimin e qytetërimit në këtë hapësirë.

Përveç vlerës së tij arkeologjike dhe historike, Apolonia është edhe një qendër e gjallë kulturore. Parku shpesh kthehet në një skenë të aktiviteteve artistike, konferencave shkencore dhe ngjarjeve që lidhin të shkuarën me të tashmen. Monumentaliteti i rrënojave, kombinimi i qytetërimit antik me arkitekturën mesjetare dhe peizazhi natyror që e rrethon, e bëjnë Apoloninë një destinacion unik, ku vizitorët jo vetëm shijojnë historinë, por edhe përjetojnë një udhëtim estetik dhe shpirtëror.

Sot, Apolonia është ndër destinacionet më të vizituara të turizmit kulturor në Shqipëri, me mbi 120 mijë vizitorë në vit, numër që vjen në rritje të vazhdueshme. Vizitorët vijnë jo vetëm nga vende të ndryshme të botës, por gjithnjë e më tepër edhe nga publiku vendas, i cili po e rikthen Apoloninë në një simbol të identitetit dhe trashëgimisë kulturore kombëtare.  

Oraret e vizitueshmërisë:  

Tarifat e biletave:

Biletë individuale (të rritur):600 lekë
Biletë grupi (12+ persona):500 lekë
Invalidë, Pensionistë (shqiptarë):300 lekë
Studentë, fëmijë dhe të rinj 12-18 vjeç:180 lekë
Fëmijë nën 12 vjeç, veteranë lufte, ish-të dënuar dhe të përndjekur politikë, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë dhe nxënës shkollash nga programi “Edukimi përmes Kulturës”, anëtarët e ICOM & ICOMOS, punonjësit e Ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe institucioneve të varësisë, delegacione shtetëroreFalas

Ditët e hyrjes së lirë

  • 18 Prill           Dita Ndërkombëtare e Monumenteve / Dita Ndërkombëtare e trashëgimisë Kulturore
  • 18 Maj           Dita Ndërkombëtare e Muzeve
  • 21 Maj          Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim
  • 29 Shtator   Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore
  • 28 Nëntor    Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë)
  • 29 Nëntor    Dita Kombëtare e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë)
  • E Diela e Fundit e Muajit Me përjashtim të të dielave të fundit të muajve maj-tetor

Adresa: Kodra mbi fshatin Pojan, Njësia Administrative Dërmënas, Bashkia Fier, Qarku Fier.