Kërko

Partneritete

Shqipëria është pjesë e një sërë organizatash dhe iniciativash ndërkombëtare në fushën e turizmit, përfshirë UN Tourism (që prej 1993), GSTC (anëtare që prej 2024), RCC, OECD-SEE, UNESCO, BE (programet e turizmit), World Bank, IFC, UNDP, JICA dhe rrjete të specializuara si ICCA dhe ATTA. Kjo pjesëmarrje forcon standardet, rrit bashkëpunimin rajonal dhe mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri.

UN Tourism (dikur Organizatë Botërore e Turizmit – UNWTO)

UN Tourism është agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara që udhëheq dhe koordinon politikat globale të turizmit.
Mandati i saj është të promovojë zhvillimin e turizmit në mënyrë të qëndrueshme, të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të aksesueshëm për të gjithë, duke mbështetur vendet anëtare në hartimin e politikave, analizën e tregut, standardizimin, edukimin dhe zhvillimin e kapaciteteve.
UN Tourism bashkëpunon me qeveritë, sektorin privat dhe organizatat ndërkombëtare për të nxitur rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, inovacionin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Shqipëria dhe UN Tourism – Shqipëria është anëtare e UN Tourism që prej vitit 1993, duke u bërë pjesë e politikëbërjes dhe standardeve ndërkombëtare të turizmit.
Si vend anëtar, Shqipëria përfiton nga ekspertiza teknike, platformat e bashkëpunimit, programet e zhvillimit të kapaciteteve dhe qasja në statistika, trende dhe praktika të mira botërore.

Global Sustainable Tourism Council (GSTC)

Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në Global Sustainable Tourism Council (GSTC) më 2 dhjetor 2024, duke u bërë pjesë e organizatës ndërkombëtare që përcakton standardet globale për turizmin e qëndrueshëm. Ky anëtarësim përbën një angazhim të rëndësishëm institucional për forcimin e politikave kombëtare të qëndrueshmërisë dhe përmirësimin e menaxhimit të destinacioneve turistike në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në kuadër të bashkëpunimit me GSTC, Shqipëria synon të integrojë Kriteret Globale të Turizmit të Qëndrueshëm në politikat publike, të nxisë certifikimin e bizneseve dhe destinacioneve dhe të avancojë zhvillimin e një modeli turistik të orientuar drejt cilësisë, përgjegjshmërisë mjedisore dhe përfshirjes së komuniteteve lokale. Ky proces përputhet plotësisht me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2025–2030 dhe forcon pozitën e vendit si një destinacion konkurrues dhe i qëndrueshëm në nivel global.

TAC

Komiteti Këshillimor për Turizmin (Tourism Advisory Committee – TAC) është një strukturë pranë Komisionit, e përbërë nga përfaqësues të emëruar nga secili Shtet Anëtar. Qëllimi i komitetit është të lehtësojë shkëmbimin e informacionit, konsultimin dhe, kur është e nevojshme, bashkëpunimin në fushën e turizmit, sidomos për përmirësimin e shërbimeve për turistët. Shqipëria iu bashkua TAC me statusin e vendit vëzhgues në fund të vitit 2024.